Presidenti Donald Trump ka emëruar Guvernatorin e Dakotës së Veriut Doug Burgum për të drejtuar Departamentin e Brendshëm, ndërsa kabineti i tij i ri vazhdon të marrë formë.
Ky departament është përgjegjës për menaxhimin dhe ruajtjen e pjesës më të madhe të tokës në pronësi të qeverisë federale së bashku me burimet natyrore.
Trump njoftoi të premten se zoti Burgum do të drejtojë një Këshill Kombëtar të Energjisë që do të krijohet për të ndihmuar vendin që të “domininojë në çështje të energjisë” në mbarë globin.
Burgum 68 vjeç është guvernator me dy mandate i Dakotës së Veriut. Një ish-drejtues ekzekutiv i një kompanie programesh kompjuterike e miliarder, ai u zgjodh për herë të parë në postin e guvernatorit në vitin 2016 dhe u rizgjodh lehtësisht në vitin 2020.
Burgum kandidoi për një kohë të shkurtër kundër Trump brenda kampit republikan për garën për president në vitin 2023 më pas ai u tërhoq dhe deklaroi mbështetjen e tij për Trump.
Një konservator i vendosur, Burgum, në pozicionin e tij të ri, pritet të jetë një aleat i fortë i përpjekjeve të zotit Trump për të vënë në dispozicion toka publike për kërkime për naftë, gaz e minerale.