Presidenti i Federatës të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, ka dhënë dorëheqjen. Sejdini e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.
Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n”, shkruan Sejdini.
Më pa ai falënderoi të gjithë që kontribuan në këto arritje si: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv (Këshillin Drejtues) dhe çdo dashamirës të futbollit.
Sejdini tha se “Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im”.