Një operacion i madh antidrogë i udhëhequr nga SPAK ka çuar në pranga 10 persona, mes të cilëve katër shqiptarë që ishin kokat e një grupi të fuqishëm kriminal, i përfshirë në trafikun dhe përpunimin e kokainës që vinte nga Amerika Latine. Kokaina kalonte në Shqipëri për t’u përpunuar në laboratorë dhe më pas shpërndahej në tregjet europiane.
Katër shqiptarët, Geis Fejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari, ishin financuesit dhe organizatorët kryesorë të këtij trafiku. Grupi përdorte një metodë të sofistikuar për të fshehur lëndën narkotike, duke e mbështjellë kokainën në lëkurën e gjedhit për ta kamufluar dhe për të shmangur kontrollet me qen antidrogë. Kokaina përpunohej në një laborator në Qerekë të Fushë-Krujës, ndërsa dy bazat e tjera ishin në “Kodra e Diellit 2” dhe pranë Portit të Durrësit.
Njëri nga anëtarët e grupit kishte marrë me qira një vilë në rezidencën luksoze të Tiranës, që përdorej si bazë operacionale. Operacioni i 15 tetorit ka çuar në arrestimin e 10 personave, përfshirë 3 të huaj: dy venezuelianë dhe një kolumbian. Ky është një nga operacionet më të suksesshme të SPAK, ku janë zbatuar të gjitha urdhër-arrestet e lëshuara nga GJKKO, duke e bërë të pamundur dekonspirimin e operacionit.
Të arrestuarit
Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
5- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian