Karafilat e saj në tyta u fotografuan e fotografitë qarkulluan botën, ndërsa jepej lajmi se kryengritja e ushtarakëve kishte rrëzuar diktaturën. U quajt “Revolucioni i karafilave”, edhe sinonim se diktatura u rrëzua pa dalë plumb prej tytave – në to qenë karafilat.
1.
Celeste Caeiro vdiq një ditë para se të mbusheshin një mijë ditët nga fillimi i luftës pushtuese të Rusisë kundër Ukrainës.
Kishte mbushur 91 vjet dhe hyri aksidentalisht në histori.
U nis një ditë prilli në punë si zakonisht, për ta hapur derën dhe për t’i mbajtur palltot e mysafirëve e për t’ua treguar vendin në tavolina në restorantin “Sir” të Lisbonës. Pronari i restorantit u kujdes që të mos jetë një ditë si çdo tjetër. Ishte përvjetori i restorantit, qe përgatitur një menu i veçantë për drekë e darkë, qenë rezervuar të gjitha tavolinat dhe në çdonjërën prej tyre qenë vendosur karafilat kuq e bardhë. Përderisa bëhej gati për këtë ditë të veçantë, Celeste vërejti fytyrën e brengosur të pronarit, ndërsa dëgjonte lajmet në një radiostacion klandestin që emetohej përkundër censurës së diktaturës në pushtet.
-Sot po e mbyllim restorantin, ka filluar kryengritja, i tha pronari.
Dhe i tha që t’i merrte lulet se këtu do të thaheshin.
Celeste Caiero doli në rrugë dhe jo shumë hapa më tej pa kolonën e ushtarëve që ishin ngritur në kryengritje kundër pushtetit diktatorial. Shumica, në fakt ishin ngritur ndaj një pushteti që po i dërgonte të vdiste në luftërat koloniale kundër popujve të Angolës, Mozambikut e vendeve të tjera – fëmijët e varfër të fshatrave të Portugalisë duke vdekur në luftë kundër fëmijëve të varfër të fshatrave të Angolës e kolonive të tjera.
Njëri prej këtyre ushtarëve i kërkoi Celestes mos kishte cigare. Ajo tha që nuk pinte duhan dhe meqë nuk kishte gjë tjetër për t’i dhënë, ia dha një karafil. Ai e vuri në tytën e pushkës. Celeste i shpërndau të gjithë karafilat e saj, njëri prej tyre përfundoi në tytën e automatikut të një autoblinde.
Karafilat e saj në tyta u fotografuan e fotografitë qarkulluan botën, ndërsa jepej lajmi se kryengritja e ushtarakëve kishte rrëzuar diktaturën.
U quajt “Revolucioni i karafilave”, edhe sinonim se diktatura u rrëzua pa dalë plumb prej tytave – në to qenë karafilat.
2.
Celeste Caeiro i dha karafilat e saj më 25 prill të vitit 1974 dhe e përjetoi çerekun e fundit të shekullit bashkë me mua. Figurativisht.
Portugalia pati zgjedhjet e veta të para të lira parlamentare dhe së shpejti u anëtarësua në Bashkimin Evropian (Komunitetin e atëhershëm ekonomik).
Më 1989, ra Muri i Berlinit dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore u liruan prej komunizmit.
Më 1999 NATO-ja ndërhyri për parandalimin e gjenocidit në Kosovë dhe e çliroi atë.
Në mesin e forcave të NATO-s ishte edhe ajo e Portugalisë. Ushtria të cilën Celeste Caeiro e kishte bekuar me karafila ishte njëra prej ushtrive që solli paqe në Kosovë.
Ky ishte çerekshekulli i një vale të madhe demokratike që kishte filluar edhe më herët, me dekolonizimin dhe formimin e qeverive autoktone në vende të Afrikës e të Azisë. Në atë çerekshekull, edhe shumë popuj të vendeve të Amerikës Latine kalonin prej diktaturave ushtarake në demokraci.
3.
Celeste Caeiro vdiq në vitin e tetëmbëdhjetë me radhë që, sipas Freedom House, shënon regresion të demokracisë. Pra, vdiq në shekullin XXI që për dallim të atij që u shënua edhe me karafilat e saj, nuk është më shekull i lirisë, por i rirreshtimeve gjeopolitike. Është, në këtë çerekshekull të tij të parë, shekulli i gjeopolitikës.
Dhe është ende i pakapshëm për t’u definuar. Kështu e kuptoj nga shumë njerëz që njoh nga e tërë bota e që janë mbledhur në Konferencën e Sigurisë në Beograd për ta përcaktuar ecjen e kësaj bote. Tema e parë, natyrisht, është se si do të ecë kjo botë pas fitores së D. Trumpit si president, me një lloj parandjenje apo frike të integruar, sikur bota ka qenë duke shkuar mirë, porse ja, do të dalë presidenti i ri amerikan dhe do ta prishë rendin botëror.
E rendi botëror tashmë është prishur. Një diplomat britanik Rob Dixon, përmend se ky rend nuk u prish në shkurt të vitit 2022 kur Rusia hyri në Ukrainë me fuqi të plotë ushtarake, por më 2008 kur hyri në Gjeorgji. Ukrainasit me vite të tëra përsërisin se Rusia hyri në Ukrainë më 2014 në Donbas e në Krime.
Dhe, ja më 2024, në të mbushur një mijë ditët e luftës më të madhe pushtuese evropiane pas fundit të Luftës Botërore, me një llogari të një milion të vrarëve në të, Celeste Caiero nuk do të jetojë më për të parë se si është vazhdimi.
4.
Si do të vazhdojë ky shekull?
Federica Mogherini, ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së u pyet se a do të ishte e gatshme BE-ja të merret me shekullin e gjeopolitikës, prej politikës së presidentit Trump, fundit të luftës në Ukrainë e deri te antagonizmi me Kinën dhe ajo u përgjigj me një fjali të gjatë që filloi me “BE-ja do të mund të ishte e gatshme…”. Pra nuk është e gatshme.
Ukrainasit që kanë kaluar prej një konference në tjetrën përgjatë këtyre një mijë ditëve thonë që ardhmëria është me luftë edhe tre, pesë, dhjetë vjet dhe se mund ta ndalin vetëm kur Ukraina hyn në NATO. Që për Rusinë dhe NATO-n do të ishte atëherë luftë e ndërsjellë.
Yezid Sayigh, një intelektual i spikatur palestinez, dhe i angazhuar për kauzën palestineze tha se sot nuk ekziston më Lëvizja Kombëtare Palestineze që ka ekzistuar deri më 7 tetor të vitit 2023. “Unë nuk do ta shoh brenda jetës sime shtetin palestinez”.
Antonio Gramsci, i vdekur para gati njëqind vjetësh u bë përnjëherë i gjallë në këtë konferencë me një citat që i shërben shpjegimit të këtij shekulli:
“Kriza qëndron saktësisht në faktin se e vjetra po vdes dhe e reja nuk po mund të lindë; në këtë interregnum, një larushi simptomash morbide mund të shfaqen./ KOHA