Gjykata e Shkodrës ka liruar nga burgu katër efektivët e policisë që kanë lidhje me ngjarjen e rëndë në Dobraç ku humbën jetë 4 persona. Katër policët Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martini, me detyrë policë të Shqiponjave janë në akuzë për “shpërdorim detyre”.
Gjatë seancës, ata kanë dhënë dëshminë e tyre dhe kanë deklaruar se nuk e njohin personin e tretë, si dhe nuk e dinë nëse ka qenë apo jo në makinë me viktmat.
“Ne jemi patrulla e dytë që kemi mbërritur në vendngjarje dhe kur kemi shkuar kemi parë shumë kaos, me shumë persona që ndodheshin aty, rreth 50 vetë. Nuk kemi qenë të planizuar aty por kemi dëgjuar në radio se ka aksident rrugor dhe jemi nisur për atje. Sapo kemi mbërritur kemi respektuar procedurat standard. Dy vetë kemi bërë rrethimin e vendngjarjes për të bllokuar kalimin dhe dy të tjerë kanë qëndruar aty. Pasi mbërritëm kuptuam se nuk bëhet fjalë për aksident rrugor por për vrasje me armë zjarri. Menjëherë kemi njoftuar sallën operative dhe ambulancën njëkohësisht. Sapo ka mbërritur ambulanca kemi dhënë ndihmën e parë për të plagosurit që ishin ende gjallë për t’i transportuar drejt urgjencës të spitalit.”, kanë thënë katër policët.
Më pas ata kanë deklaruar se nuk kanë dijeni nëse ka qenë Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohin.
“Personin e tretë që flitet nuk e kemi njohur se kush është. Nuk kemi patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohim. Prioritet kemi patur që të rrethojmë vendngjarjen sepse ishte kaos i plotë dhe t’i japim ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë”, kanë deklaruar ata në gjykatë.
Atentati me 4 viktima/ Nuk arrestuan “Braçen”! Lirohen nga qelia 4 policët