Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe në Pallatin e Brigadave bëri prezantimin e projektit “FJALORI I MADH I GJUHËS SHQIPE”. Fjalori u konceptua e përgjithësisht u realizua si një projekt mbarëkombëtar edhe nga institucione të tjera të mirëfillta kërkimore-shkencore: nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, disa universitete e institucione shkencore në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Palermos e Universiteti i Kozencës në Itali etj.
Projekti i shtri në 4 vjet. Për të punuan një grup me mbi 55 bashkëpunëtorë e 25 hartues, me një redaksi prej 10 leksikografësh me përvojë. Por shqipja e kishte të domosdoshme e të ngutshme hartimin e një fjalori të madh. Ajo ishte ndër të rrallat gjuhë që nuk kishte një fjalor të tillë.
Përdoruesi i saj si qytetar i thjeshtë, si shtetar, si politikan, si student, si mësues, si gazetar, si shkrimtar, si diplomat, si studiues, si përkthyes e kushdo që merret me të, kishte nevojë për një fjalor që të kishte të paktën një sasi fjalësh sa dyfishin e njësive (të fjalëve) të fjalorëve në qarkullim.
Vepra u projektua si një Fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar Korpusin / Database-n a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme dhe në gjendjen e tanishme kemi këtë pasqyrë statistikore
Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin:
- 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2.5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980)
– Rreth 5.000 emërtime të pathjeshta për realie (të botës materiale dhe jomateriale)
- Rreth 3.000 njësi leksiko-gramatikore “të fshehura: (që nuk dalin në makrostrukturë si njësi të mëvetësishme)
-
11.500 njësi frazeologjike
-
1.400 shprehje të huaja të paasimiluara
-
1.200 shkurtesa / akronime
Gjithashtu, në Fjalor janë ndërtuar mbi 40.000 vargje sinonimike, të cilat po plotësohen edhe më gjatë redaktimit e verifikimit të mëtejshëm që po i bëhet veprës Vepra deri tani ka mbi 23.000.000 karaktere dhe hapësira, të cilat kthehen a konvertohen në 9.200 faqe kompjuterike ose në 10.000 faqe A4.
Përmbledhtas, vepra ka gjithsej 124.000 njësi (fjalë, emërtime të pathjeshta, njësi frazeologjike, shkurtesa etj.). Ky numër mund të lëvizë gjatë ndërhyrjeve të mëtejshme në lëndën e Fjalorit). Numri i njësive semantike (i kuptimeve) mund të jetë afërsisht sa pesëfishi i numrit të njësive leksikore (i fjalëve). Fjalori të jetë burim këshillimi, studimi e hartimi për fjalorë të tjerë të tipeve të ndryshme. Fjalori krijon një bazë të fuqishme, shumë funksionale e lehtësisht të shfrytëzueshme për gjithë spektrin e fjalorëve të tjerë në të ardhmen, qofshin fjalorë njëgjuhësh, dy-e shumëgjuhësh, moshorë, shkollorë, ideografikë, terminologjikë, të tipologjive vëllimore të ndryshme, që nga fjalorët doracakë e deri te një fjalor thesar gjithëpërfshirës e me shembuj me burim të identifikuar, do të jetë jo vetëm burim lënde, por edhe vepër referimi për metologjinë leksokografike të hartimit të fjalorëve. Kështu ai do të jetë vepër edhe me rrezatim të gjerë përdorimi, për të gjithë ata që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, me krijime letrare e me përkthime etj. Pra, ai do të jetë i nevojshëm për shkrimtarët e për publicistët, për përkthyesit e për leksikografët, për pedagogët e për studentët, për studiuesit e për këdo që merret me përdorimin e kultivimin e gjuhës amtare.