Ne të brezit tim, jemi sot si ata baballarët e poemës së Dritëroit. Ky kuvend i mirëseardhur ndihet së brendshmi nga të gjithë ne si shenjë domethënëse e një premtimi solemn se sfidat e gjuhës shqipe në këtë shekull janë edhe sfida të shtetit dhe se shteti po e drejton vëmendjen në mënyrë të qëndrueshme e të vijueshme ndaj marrëdhënieve të tij me gjuhësinë dhe ndaj problemeve me të cilat përballen gjuha shqipe dhe gjuhësia shqiptare.
Kam pasur rastin të dëgjoja dikur në ish Komitetin e Shkencës një specialist të huaj, që shpjegoi se marrëdhëniet e shkencës me shtetin zhvillohen pak a shumë sipas një formule të tillë: shteti i kërkon shkencës të kryejë detyra të caktuara për zhvillimin e vendit dhe shkenca i përvishet punës; por kur shteti nuk shpreh ndonjë interesim konkret e praktik për ndonjë fushë të caktuar, është shkenca që thotë se çfarë mund të bëjë ajo për shtetin. Kuptohet vetiu se mua më takon të flas për këtë të dytën.
Thuhet se krahasimet gjithnjë çalojnë, por sidoqoftë diçka tregojnë. Në qoftë se mund të bëhet një krahasim me terma nga fusha e ndarjes së pushteteve, atëherë shkenca për gjuhën mund të quhej pushtet legjislativ. Por çdo legjislacion ka nevojë për një pushtet ekzekutiv, që të vihet në jetë. Dhe pushteti ekzekutiv natyrisht është shteti. Në fushën e gjuhës këtë pushtet shteti e ushtron, në radhë të parë, me anë të shkollës, që u mëson fëmijëve legjislacionin themelor të gjuhës dhe i aftëson të shkruajnë e të flasin sipas atij legjislacioni. Shkolla është themeli i kulturës gjuhësore, por kjo nuk mjafton.
Gjuha, ashtu si përdoret në fusha të ndryshme të veprimtarisë së shtetit e të shoqërisë, është shumë më e gjerë sesa ato njohuri që mund të përvetësohen gjatë shkollimit të përgjithshëm. Prandaj mbi ato njohuri themelore të shkollës është e nevojshme të shtohen edhe njohuri të tjera të reja të domosdoshme sipas fushës së punës. Kjo kërkon përsëri përkujdesjen e shtetit.
Kërkesa për një përkujdesje të qëndrueshme, të vijueshme dhe cilësore për gjuhën shqipe mbështetet te një premisë: “Gjuha pasqyron një kombësi a komb, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj.” Këto fjalë i ka shqiptuar prof. Eqrem Çabej përpara asamblesë së Akademisë së Shkencave në shkurt 1979, kur kërkoi që shteti ta merrte në dorë me shumë seriozitet ecurinë e zhvillimit e të pasurimit të gjuhës shqipe. Fjala e tij atëherë u dëgjua. Unë besoj se kjo kërkesë, që vjen edhe nga shumë studiues, e sidomos dashamirë të panumërt të gjuhës shqipe, do të dëgjohet përsëri nga shteti. Zbukurimi i Shqipërisë dhe i jetës në Shqipëri, që na mbush sot me gëzim, nuk mund të jetë i plotë pa përfshirë këtu kujdesin që edhe gjuha shqipe të duket e bukur, e shëndetshme, e rregullt dhe të pasqyrojë dinjitetin e popullit që e flet dhe seriozitetin e shtetit të cilit i shërben. Një gjuhë e zhvilluar dhe e përkujdesur është elementi themelor i kulturës që përfaqëson dhe bashkon një komb modern.
Çështja e parë që pret të vendoset në këtë mes, është mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe në përdorimin publik, siç e parashikon edhe neni 59 i Kushtetutës. Në pajtim me këtë detyrë del e nevojshme të krijohet një organizëm i posaçëm, që mund të quhej Komisioni shtetëror për kujdesin ndaj gjuhës shqipe.
Ky komision, i përbërë prej zyrtarësh të lartë dhe gjuhëtarësh me përvojë, do të kujdesej, në radhë të parë, për të forcuar atë që mund të quhet disiplina gjuhësore e shtetit. Dihet se disiplina është tipar themelor i shtetit, por shteti shqiptar nuk ka arritur ende të ngulitë një disiplinë të tillë. Megjithatë, që nga vendimi i Qeverisë së Vlorës (1913) për caktimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, kemi një traditë të kujdesit të shtetit për gjuhën, të cilën duhet ta gjallërojmë e ta pasurojmë.
Nuk e kam fjalën vetëm për të mënjanuar përfundimisht të metat gjuhësore që vërehen në prodhimin shkresor të administratës, jo rrallë edhe për cungimin e alfabetit që u vendos 116 vjet më parë dhe që e përkujtojmë sot me miradije të thellë ndaj atyre që u mblodhën në Kongresin e Manastirit. Shtetit tonë, p.sh. i mungon një regjistër i kodifikuar i emërtimeve të qendrave të banuara dhe i emërtimeve gjeografike në përgjithësi. Në ligjet për ndarjen administrative-territoriale emërtimet e qendrave të banuara janë shkruar plot me gabime.
Sa për të sjellë një shembull po përmend se emri i fshatit të Kukësit në kufirin me Kosovën është Morin – Morini, por në tabelat e Rrugës së Kombit shkruhet Morinë (se kështu është shkruar te ligji i ndarjes administrative), ndërkaq Morina dhe qafa e Morinës ndodhen në rrethin e Tropojës! Në dokumentet zyrtare për monumentet e natyrës dhe monumentet historike e të kulturës emërtimet janë shkruar pa kurrfarë kujdesi gjuhësor.
Probleme gjuhësore vërehen edhe në emërtime politike shumë të rëndësishme. Shqipëria ka një Këshill të Sigurimit Kombëtar, të quajtur kështu në Kushtetutë për analogji me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por në dokumente të ndryshme zyrtare të vendit përdoret emërtimi siguri kombëtare. A mos është më drejt që të themi Këshilli i sigurisë për të gjitha rastet? Sepse është fjala për sigurinë e vendit ose të botës, jo për sigurimin. Duhet të kemi guximin për të ndrequr shtrembërime gjuhësore edhe kur jemi mësuar gjatë me to. Rrethi i çështjeve të tilla që kanë nevojë të shqyrtohen e të zgjidhen, është mjaft i gjerë, por këtu nuk është vendi për të përmendur më shumë. Ato mund të gjejnë zgjidhje të drejtë vetëm nga një organizëm me fuqi vendimmarrëse e urdhëruese, ku të ballafaqohen arsyeja gjuhësore dhe arsyeja shtetërore dhe të merret një vendim i arsyetuar.
Edhe gjuha shqipe ka nevojë për një institucion që do të shembte “ndërtimet” pa leje, por edhe të shëmtuara, të tilla si siguracion, karikoj e karikim, markatë etj. Nuk mund të lejohet që në shtypin tonë robërit e luftës të quhen të burgosur të luftës (?!) ose që aksidenti të quhet incident nga gazetarë pa kulturën e duhur gjuhësore për atë profesion. Përdorimi pa fre i fjalëve të huaja përjetohet si një brengë nga populli dashamir i gjuhës së vet, që nuk e kupton pse tani po thuhet çështje bazike ose ky problem do të adresohet, kur mund të thuhet qartë e shqip çështje themelore dhe ky problem do të shqyrtohet.
Gjuha shqipe do të mbetet e hapur dhe mikpritëse ndaj fjalëve ndërkombëtare të kulturës e të shkencës moderne, por njëkohësisht do të jetë edhe zonjë e rëndë në shtëpinë e vet. Një gjuhë si shqipja ka gjithnjë nevojë të mbarështohet e të pastrohet nga shpendrat, hithrat e ferrat që ia zënë dritën e zhvillimit harmonik. Me rastin e borës së ditëve të fundit dëgjuam njoftimin në “shqipen burokratike-mediatike” se në qarkun e Korçës të gjitha akset kanë qenë të aksesueshme në vend të shqipes për së mbari: të gjitha rrugët janë të kalueshme ose të hapura.
Republika e Shqipërisë, e quajtur edhe shteti amë për shqiptarët jashtë saj, ka pa dyshim përgjegjësinë për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në gjithë hapësirën ku ajo është gjuhë amtare e shqiptarëve. Në të gjitha fushat e përdorimit gjuha shqipe e këtushme duhet të jetë shembull orientues. Çështje themelore në këtë mes është terminologjia. Po të shqyrtohen ligjet dhe kodet e Shqipërisë e të Kosovës për të njëjtin objekt, do të vihen re dallime terminologjike të theksuara. Duke krahasuar praktikat në Shqipëri e në Kosovë në fushën e administratës publike, akademiku i ndjerë Esat Stavileci kishte vënë re “një shkallë relativisht të lartë të mosnjësimit…
Shkalla e mosnjësimit ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit dhe nevojën e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit.” Për ta kapërcyer këtë gjendje, vetëkuptohet se është e domosdoshme dhe urdhëruese që të ndërtohet një bashkëpunim i qëndrueshëm nëpërmjet të cilit të njësohen hap pas hapi terminologjitë, emërtesat dhe çështje të tjera gjuhësore në fusha të ndryshme të veprimtarive të shtetit. Gjuha e njësuar nuk ka të bëjë vetëm me drejtshkrimin, me gramatikën dhe me abetaren e përbashkët. Gjuha shqipe sot duhet të jetë në lartësinë e gjuhëve të tjera europiane edhe si gjuhë e shkencës, e teknikës, e kulturës moderne dhe e organizimit të shtetit, – një dhe e pandarë, se ndarja gjuhësore sjell pasoja të trishtueshme. Shpreh besimin se qeveritë e të dyja vendeve do ta përfshijnë në planet e tyre edhe bashkëpunimin për të përballuar së toku sfidat e gjuhës shqipe në shekullin XXI.
Duke përmbyllur fjalën time do të përmend se kuvendet gjuhësore kanë shoqëruar ose u kanë prirë ngjarjeve shoqërore e politike. Kështu ka ndodhur me Shoqërinë e të Shtypuri Shkronja Shqip dhe Lidhjen e Prizrenit, tek e cila i ka rrënjët Shqipëria e lirë dhe e mosvarme; katër vjet pas Kongresit të Manastirit, me alfabetin e vendosur atje, u shkrua deklarata e Shpalljes së Pavarësisë. Uroj që edhe ky kuvend të jetë ogur i mirë se muri burokratik që na ndan nga Bashkimi Europian, do të bjerë brenda këtij dhjetëvjeçari. Mua dhe moshatarëve të mi për këtë rast na sillet nëpër mend urimi naimian Lum kush të rronjë …)__