Policia e Tiranës ka fokusuar hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit, djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi, te personazhi i njohur si “Kleo i Freskut”. Hetimet sugjerojnë se vrasja mund të ketë qenë pasojë e një konflikti për një borxh prej 10 mijë eurosh që Klaudio Prendi ia kishte “Kleos”. Përplasja fizike mes tyre kishte ndodhur disa ditë para ngjarjes tragjike, në zonën e njohur si “rrugica e Salës” në Tiranë.
Duke u bazuar në informacionet e deritanishme, policia ka lidhur “Kleon” me dy vëllezërit Duka, njëri prej të cilëve është arrestuar dhe po gjykohet për vrasjen e Santiago Malkos. Po ashtu, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që vrasja të ketë lidhje edhe me detyrën e babait të viktimës, Fran Prendi, për shkak të vendimeve të tij si gjyqtar në Krimet e Rënda. Të dhënat e siguruara nga policia flasin për një të dënuar të liruar nga burgu kohët e fundit, i cili mund të ketë një lidhje me ngjarjen.