Kryeministri Edi Rama ka njoftuar planin për administrimin e pronave të ushtrisë, duke i shndërruar ato në burim të ardhurash për zonat përkatëse dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes do të krijojë një departament të posaçëm për menaxhimin e këtyre pronave, pa humbur pronësinë shtetërore, dhe do të mundësohen partneritete për projekte që i shfrytëzojnë ato për turizëm.
“Po hyjmë në një fazë të re edhe të administrimin e pronave të ushtrisë. Për këtë arsye ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për menaxhimin këtyre pronave pa hequr dorë nga pronësia e shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme, duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekte këto asete të mbetura që trajtohen si vendndodhje ushtarake ku s’ka këmbë ushtari në një burim të ardhurash për banorët e zonës por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Rama.