SPAK ka zbardhur detaje të reja nga goditja e bandës se kokaines me ne krye Suel Çelen ne Elbasan. Organizata kriminale sipas SPAK-ut, kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit, konkretisht Dedan Gjonin i arrestuar per nje tjeter dosje dhe të sistemit gjyqësor Pajtime Fetahun “të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”.
Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çelës dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.
Sipas SPAK-ut, Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.
SPAK thotë se dyshohet se “këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik” thotë SPAK-u.
SPAK: Suel Çela bashkëpunoi me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno kundrejt përfitimeve monetare