Deputeti i PS-së, për qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj gjatë senancës së sotme plenare në Kuvend ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke u shprehur se kjo çështje nuk duhet trajtuar si debat politik apo përçarje mes pozitës e opozitës por si një projekt i përbashkët kombëtar.
Fjala e Xhafajt
BE nuk na vlerëson vetë për numrin dhe cilësinë e ligjeve që miratojmë, por edhe për funksionimin real të demokracisë, kuluturën tonë institucionale, aftësinë tonë për dialog dhe seriozitetin e institucioneve. Është një gjë pozitive dakordësia për këtë rezolutë të përbashkët, sepse ne nuk kemi të drejtë ta trajtojmë këtë proces si betejë të vogël të politikës së ditës.
Së fund të fundit, negociatat mund ti hapë një qeveri, kapitujt mund ti negociojë një shumicë, por në BE hyn Shqipëria. Le të debatojmë fort për përgjegjësitë, por të mos deligjitimojmë orientimin strategjik të vendit. Integrimi Evropian, Shqipëria Evropiane është një projekt shprese kombëtare. Është përpjekja e një kombi për të jetuar me dinjitet evropian në familjen evropiane.









