-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Të bashkëpunosh me gjeografinë

Kryesoret

Ndërtesat e bëra për Jugosllavinë e painkuadruar i rrinë Serbisë si rrobat që i janë dhënë fëmijës që shpreson se do të rritet e t’i mbushë ato. Ndërkohë çdo gjë rreth Serbisë ka ndryshuar

1.

Një diplomat veteran perëndimor më tregon se si ishin ulur në njërën prej sallave për pauzë kafeje, se si kolegu i tij e kishte kapur tavolinën për t’ia afruar kolltukut të ambasadorit dhe se si në dorë i kishte mbetur një aparat përgjues, i fshehur përfundi tavolinës. Qe kjo punë para gati pesëdhjetë vjetësh dhe aparati përgjues ishte i madh – diplomatët e rinj e fshehën me sukses para se këtë ta hetonte ambasadori. Edhe ashtu ishte i lodhur me debate të tëra ditë pas dite – ai bënte pjesë në delegacionet e botës së lirë që zhvillonin bisedime me Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij – dhe nuk donin ta ngarkonin edhe me punën e spiunazhit.

Diplomati veteran fliste për një sallë si kjo ku takohemi, në qendrën “Sava” të Beogradit,  të cilën Mareshali Tito urdhëroi të ndërtohej për nder të Konferencës pasuese të Bashkëpunimit e Sigurisë në Evropë, pas asaj të Helsinkit. Tito donte të përsëriste pozicionin “finlandez”, të shtetit që mund të tubonte Perëndim e Lindje në kryeqytet dhe të dilte asnjanës. Edhe përgjuesit, të vendosur nga Shërbimi Sekret jugosllav, do të kenë qenë të gatshëm për të kuptuar fshehtësitë e shteteve të Perëndimit e të Lindjes, pa diskriminim. Më 1977 e 1978 kush e di sa fjala është regjistruar në arkivat e Shërbimit Sekret jugosllav.

Gati gjysmë shekulli më vonë në qendrën ”Sava” mbahet një tubim joqeveritat me titullin “Konferenca e Sigurisë së Beogradit”. Diplomati veteran ma përkujton skenën e tavolinës përderisa e tërheq drejt kolltukëve tanë.

2.

Është detaj interesant kjo e mbajtjes së një debati për sigurinë evropiane (dhe botërore) në qendrën “Sava”. Mua më dalin së paku dy nxitje mendore. Njëra, më e hapur, është se po mbahet takimi në qendrën ku u diskutua për tejkalimin e luftës së ftohtë në kohën kur bota mund të hyjë sërish në një luftë të re të ftohtë. Tjetra, jo aq e hapur, se Serbia ndoshta do të donte të përsëriste situatën kur Beogradi do të ishte një kryeqytet evropian që do të ishte asnjanës, me kapacitet për t’i bërë Perëndim e Lindje së bashku.

Ndërtesat, megjithatë, nuk krijojnë realitete gjeopolitike. Qendra “Sava” u ndërtua për Jugosllavinë e painkuadruar të Titos. Ndërtesa e Kuvendit ku mblidhen deputetët e Republikës së Serbisë qe ndërtuar për Jugosllavinë, që dikur u bë 20-milionëshe, që shtrihej prej Sllovenisë në Maqedoni – shtatë shtete të pavarura të sotme. Ndërtesa ku mblidhet Qeveria e Serbisë qe ndërtuar për Këshillin Ekzekutiv Federativ, qeverinë e njërit prej shteteve me të cilin konsultoheshin në përditshmëri mbi njëqind e pesëdhjetë shtete të botës. Që të gjitha këto ndërtesa janë si rrobat e të rriturit që i janë lënë në trashëgimi një fëmije që ka pengesa në zhvillim të mëtejmë fizik.

Përderisa ndërtesat janë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, e tërë gjeografia politike përreth Serbisë ka ndryshuar. Ky kryeqytet, ngado të sillet, është i rrethuar me shtete të NATO-s.
Por Serbia ende nuk është pajtuar me gjeografinë e saj.

3.

Ca ditë më vonë jam në Varshavë. Një diplomat i rryer polak , koincidentalisht, flet për pajtimin me gjeografinë.

Polonia së pari u vendos në një përqafim strategjik me Gjermaninë dhe rrjedhimisht me shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Për 20 vjet anëtarësimi, brutoprodhimi kombëtar i vendit është katërfishuar. Nga vendi dalin 8 miliardë euro drejt BE-së si obligime e në Poloni kthehen si mjete zhvillimi solidar 24 miliardë euro. Prej se vendi është anëtarësuar në BE, jetëgjatësia mesatare e qytetarëve është shtuar për tre vjet.

Dhe Polonia, mbase si rrallë ndonjë shtet tjetër evropian, e ka të ndërtuar në ADN-në e vet ndjeshmërinë ndaj gjeografisë në lindje të saj. Lufta e hapur e Rusisë kundër Ukrainës zgjoi ndjenjën e peshës së madhe që ka gjeografia për Poloninë.

“Të bashkëpunosh me gjeografinë”, thotë diplomati i lartë polak, “kjo është diçka që kemi mësuar si komb”.

Sfida e madhe e këtij bashkëpunimi është përgjegjësia që merr Polonia gjatë kryesimit të BE-së, që fillon më 1 janar të vitit 2025.

Dhe në këtë vizion strategjik, për Poloninë, thotë diplomati, “është dhe duhet të jetë e qartë se kush me kë është në luftën që po e zhvillon Rusia kundër Ukrainës e të gjithë të tjerëve. Nuk ka zonë gri; që të gjithë duhet ta dimë se ku jemi”.

4.

Ca ditë më vonë e dëgjoj presidentin e Serbisë në “Hard Talk” të BBC-së se si i përgjigjet intervistuesit, i cili ia përsërit se Serbia është e ulur në disa karrige gjeopolitike. “Jam i ulur në vetëm njërën karrige, atë serbe”, thotë presidenti Vuçiq.

Kjo mund të jetë e vërtetë. Por çdo gjë rreth karriges serbe ka ndryshuar, e më së shumti erërat historike. Më 2025 mund të krijohet një vijë armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë. Herën e fundit kur këtë e bënë ushtarët rusë në kontinentin evropian, u tërhoq një vijë ndarëse mes Lindjes e Perëndimit, duke përfshirë shtete të Evropës Qendrore e  asaj Lindore. Kësaj here e vetmja vijë ndarëse mes Lindjes e Perëndimit me mundësi teorike është ajo mes Serbisë dhe fqinjëve të vet.

Serbia vitin e ardhshëm mund të zgjohet në një gjeografi krejt tjetër. Siç do të mund të rekomandonin më të rryemit në këtë punë, polakët, me gjeografinë nuk ia vlen të konfrontohesh. Mençuria është se si të mësohesh të bashkëpunosh me të./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit