Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar sot në lidhje me sulmin që ndodhi ditën e premte në kanalin e ujit Ibër-Lepenc. Vuçiç tha se si një shtet serioz nuk merren me akuza dhe theksoi se kanë informacione se kush mund të jetë autori i sulmit.
Ai mohoi disa herë akuzat dhe përfshirjen e Serbisë në sulmin në Zubin Potok. Vuçiç u shpreh se ka ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore.
“I kam ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore. Po zhvillojmë hetime edhe në Beograd dhe kemi mbledhur informacione për disa individë, duke u interesuar se ku kanë qenë. Interesi ynë kryesor është të zbulojmë të vërtetën. Më vjen keq për deklaratën e Borellit. Faleminderit KFOR-it që refuzoi të pranojë forcat ilegale, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), në veri të Kosovës”, përfundoi Vuçiç.