Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi zv/kryeministren Belinda Balluku për abuzim me një projekt konkret që lidhet me impiantin fotovoltaik të Digës së Zadejës. Ai tha se janë 5 milionë euro plus, kosto e fryrë që është firmosur nga Balluku.
“Rasti që do të bëjmë sot publik mban nga fillimi në fund firmën e Ballukut, një shkelëse e ligjit që duhet të hetohet nga SPAK pa humbur kohë dhe duhet dërguar para drejtësisë.
Vetëm me firmën e Ballukut mund të ndodhë që një projekt që kushton 8 milionë euro, ndërkohë që kur ndërtohet nga privati i njëjti projekt kushton 3 milionë euro.
Ja ku është oferta e privatit për të njëjtin projekt që oferon 3 mln euro, ndërkohë që KESH dhe Balluku për të njëjtin projekt 8 milionë euro. Kjo ka ndodhur me projektin në digën e Zadejës duke i shkaktuar shtetit dëm 5 mln euro.
Rritja e kostos duhet të ndodhë më shumë dhe shumë projekte të tjera të Ballukut dhe ministrave të tjerë të Ramës. Por ne sot po sjellim faktet për abuzimet me projektin energjetik te KESH.
Në varësi të Ballukut, KESH lidhi kontratë për 8.3 mln euro për projektin digës së Zadejës, 97% e fondit limit. Është bërë krejt e zakonshme për qeverinë e Ramës paracaktimi i fituesit dhe në limite të fondit.
KESH e lidhi kontratën 2-3 herë më shtrenjtë se vlera reale, kontrata u lidh në gusht pasi kishte marrë miratimin nga Balluku. Balluku e miratoi projektin për impiantin fotovoltaik të Zadejës që doli 8.3 mln euro në tender, ku i njëjti projekt thuajse binjak u kushtoi privatit 3 mln Euro” tha ai.