Në aktivitetin e organizuar nga Komisioni i Monitorimit të Këshillit të Europës në parlament, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, theksoi bashkëpunimin intensiv të SPAK-ut me autoritetet e Ekuadorit dhe Mbretërisë së Bashkuar për të luftuar grupet kriminale shqiptare.
Dumani theksoi se, pavarësisht vështirësive, janë krijuar marrëveshje dhe ka pasur shkëmbime informacioni me Ekuadorin dhe shumë shtete të Amerikës Latine.
Në lidhje me Britaninë e Madhe, ai theksoi se janë zhvilluar hetime të përbashkëta dhe janë krijuar skuadra të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar.
“Sa i takon Ekuadorit, e kemi konstatuar në hetimet që grupet shqiptare janë prezente në Ekuador. Kemi krijuar bashkëpunim me autoritetet e Ekuadorit. Në 2024 kemi konsoliduar një marrëveshje bashkëpunimi, kemi ndihmuar në hetimet që po bëjnë ndaj grupeve shqiptare siç po hetojmë bashkarisht. Edhe për shumë vende të tjera bashkëpunimi me Ekuadorin dhe vende të Amerikës Latine është vështirë. Por si SPAK ja kemi dalë të kemi kontakte dhe të kemi informacione e kemi bërë me shumë shtete të Amerikës Latine, Brazilin, dhe vende ku ka grupe shqiptarësh. Me Mbretërinë e Bashkuar kemi bashkëpunim të shkëlqyer.
Drejtori MCA ka qenë në zyrën time, por edhe unë e kam vizituar në Londër. Kemi marrëdhënie konstante bashkëpunimi me shkëmbime informacionesh, kemi skuadra të përbashkëta. Kemi hetime të përbashkëta. Me kënaqësi me autoritet të Mbretërisë së Bashkuar kemi vendosur ura komunikimi të cilat dita ditës po japin fryte. Një fushë tjetër ajo kur shtetas shqiptar të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë transferuar produkte të veprës penale në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për këtë kategori, SPAK të regjistrojë hetime pasurore për sekuestrimin e produkteve të veprës penale. Jemi në rrugë të mbarë. Kontaktet i kemi të shumta.”