Ish-deputeti Ervin Salianji ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, lidhur me një denoncim mediatik ndaj Geron Xhafajt për trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Salianji u dënua për kallëzim të rreme, ndonëse ai nuk kishte bërë kallëzim, por një denoncim publik.
Në rekursin e tij, Salianji kërkon rrëzimin e vendimit të Apelit dhe rikthimin në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten “të dënuarin e parë politik” të 34 viteve të pluralizmit në Shqipëri. Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit, theksoi se nuk ka bërë betejë për të vjedhur apo vrarë, por për të luftuar trafikun e drogës.