-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Anastas Angjeli: Trampizmi ekonomik

Kryesoret

Nëse në fushatën elektorale të Presidentit Trump është folur për politikën ekonomike të presidencës së ardhshme brenda SHBA, pas fitores filluan të dalin edhe shumë elemente të politikës ekonomike ndërkombëtare dhe veçanërisht të qëndrimit ndaj aplikimit të tarifave në marrëdhëniet e eksport-imporit (ndaj Meksikës, Kanadasë, Kinës, vendeve të BRICS,) dhe sistemit monetar ndërkombëtar dhe institucioneve ndërkombëtare si pjesë e tij. Në thelb kjo politikë është në funksion të forcimit të rolit ndërkombëtar të dollarit amerikan si mjeti kryesor për ta bërë “Amerikën e madhe përsëri”. Qasja e Presidentit Trump për të kundërshtuar aleancën BRICS dhe synimin e kësaj organizate për të krijuar një monedhë të përbashkët për të sfiduar dollarin amerikan fokusohet si në masat ekonomike, ashtu edhe në ato diplomatike, veçanërisht në përdorimin e diplomacisë ekonomike.

Pushteti i zgjuar (“Smart Power”) në shekullin 21 nuk ka të bëjë vetëm me maksmizimin e fuqisë ushtarake apo ruajtjen e hegjemonisë, por është mbi të gjitha, me ndërtimin e një sistemi drejtimi politiko-ekonomik për të kombinuar burimet, interesat dhe përfitimet drejt një strategjie të suksesshme bashkëpunimi. Mbi këtë bazë ndërtohet gjithë forca e diplomacisë ekonomike si pjesë e politikës së jashtme të një vendi. Ajo përfaqëson zgjedhje strategjike, në mënyrë që interesat e zhvillimit të brendshme të një vendi të harmonizohen dhe t’u përshtaten faktorëve të jashtëm të tregut ndërkombëtar.

Në këtë këndvështrim dhe rivlerësimi dhe forcimi i rolit të dollarit, si mjet pagese ndërkombëtare dhe si rezervë në bankat qendrore, është synimi kryesor i politikës ekonomike trampiane në arenën ndërkombëtare. Të gjithë e dimë se monedha e një vendi është pasqyrim i forcës së tij ekonomike dhe politike. Thënia e Presidentit Trump “Të bëjmë Amerikën të madhe përsëri” nuk mund të linte jashtë edhe elementin kryesor të kësaj politike, dollarin amerikan. Trump gjatë fushatës së tij elektorale dhe informimin e politikës ekonomike ka theksuar se, “ruajtja e statusit të dollarit amerikan si monedhë rezervë botërore dhe mjet ndërkombëtar pagesash është kritike për fuqinë amerikane”. Kësisoj, ai pritet t’u japë përparësi politikave që forcojnë pozicionin e dollarit në tregtinë dhe financat globale, duke përfshirë vendosjen e mundshëm të sanksioneve ndaj atyre që nxisin de-dollarizimin. Për këtë, ai është duke u bazuar në strategji, që përfshijnë stabilitet ekonomik të brendshëm dhe mbrojtje ndaj sfidave ndërkombëtare. Kjo sipas tij arrihet duke thelluar këto elemente ekonomike dhe politike:

1.Rritja e besimit në ekonominë amerikane. Trump synon të krijojë një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese në nivel global përmes politikave fiskale dhe monetare që rrisin besimin në dollar. Kjo përfshin uljen e borxhit federal dhe promovimin e investimeve të brendshme, duke synuar që SHBA-të të jenë një destinacion i preferuar për investitorët e huaj, sidomos ata europianë. Nëse politikat proteksioniste çojnë në rigjallërimin e industrisë amerikane dhe rritjen ekonomike, kjo mund të rrisë besimin global në dollar. Një ekonomi amerikane e fuqishme shpesh perceptohet si bazë e qëndrueshmërisë së dollarit. Trump ka propozuar intensifikimin e marrëveshjeve tregtare bilaterale me vende që përdorin dollarin, duke u ofruar këtyre vendeve përparësi në aksesin në tregjet amerikane dhe në teknologji.

2-Evitimi i de-dollarizimit. Duke parë përpjekjet e vendeve të BRICS për të krijuar një monedhë të përbashkët dhe për të kaluar në alternativa si tregtia në monedha kombëtare, Trump planifikon të forcojë aleancat tregtare me vende që mbështesin përdorimin e dollarit. Kjo mund të përfshijë nisma të reja tregtare dhe incentivime për partnerët ndërkombëtarë, që përdorin dollarin në transaksionet e tyre.

3-Reformimi i mekanizmave monetare të sistemeve monetare ndërkombëtare. Trump pritet të mbështesë teknologji që ndihmojnë në mbajtjen e avantazheve të dollarit në tregjet monetare, si dhe të luftojë platformat digjitale të promovuara nga BRICS si mBridge. Kundërveprimi i sistemeve financiare shumëpolare për presidentin e ardhshëm është që të eksplorojë alternativa të mbështetura në elemente teknologjike për paranë digjitale. Administrata e Trump mund të kërkojë të promovojë ndikimin e SHBA në teknologjinë blockchain për të kundërshtuar risi të tilla të përafërta, të ofruara nga Kina. Po ashtu, ai mund të rrisë presionin diplomatik për të gjitha vendet që të përdorin sistemin SWIFT dhe sistemeve të tjera të lidhura me dollarin si mjet bazë pagesash. Kjo pikë është shumë e lidhur dhe me rolin e institucioneve financiare dhe bankave ndërkombëtare për të cilat presidenti i ardhshëm premton lehtësira fiskale.

4-Mbrojtja nga konkurrenca që vjen nga jashtë tregut amerikan për ndërmarrjet amerikane është një premtim tjetër elektoral i Presidentit Trump. Ai mund të përdorë masa mbrojtëse kundër vendeve që promovojnë alternativa ndaj dollarit, përfshirë sanksione apo barriera tregtare, si dhe të forcojë eksportet e burimeve strategjike si energjia dhe teknologjia e avancuar për të mbështetur ekonominë amerikane.

5-Përmirësimi i rezervave strategjike dhe mbështetja teknologjike e vendeve aleate. Për të konkurruar me rezervat e arit të BRICS, Trump ka propozuar rritjen e rezervave strategjike të SHBA-ve, përfshirë arin dhe lëndët e para strategjike. Ai gjithashtu synon të promovojë teknologjitë digjitale amerikane, përfshirë bankat digjitale, për të siguruar që SHBA-të të udhëheqin inovacionin në financat globale.

6-Përdorimi i platformave teknologjike të mbështetura nga SHBA-të në fushën financiare, por edhe atë tregtare. Trump ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një platforme financiare ndërkombëtare të mbështetur nga SHBA, e cila mund të rivalizojë platformat digjitale të BRICS. Një opsion është mbështetja për një sistem të avancuar digjital për transaksione ndërkombëtare bazuar në teknologji të sigurt dhe të mbështetur nga SHBA me transaksione të mbyllura dhe të kontrolluara nga çdo subjekt i sistemit. Një sërë masash që priten tregojnë se politika ekonomike e Trump synon të mbrojë pozitën e dollarit si mjet pagese ndërkombëtare, por edhe si monedhë rezervë globale, duke rritur ndikimin ekonomik dhe teknologjik të SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.

Këto strategji pasqyrojnë një përzierje të masave të drejtpërdrejta ekonomike, të diplomacisë strategjike dhe shfrytëzimit të mundshëm të ndërhyrjeve gjeopolitike për të mbrojtur dominimin e dollarit në tregtinë globale. Megjithatë, suksesi varet nga shumë faktorë të paparashikuar, që në vetvete funksionimi i tregut krijon çdo ditë. Një gjë është fakt, se politikat monetariste trampiste janë evidente në gjithë programet e tij ekonomike. Në këtë aspekt, vetë administrata e tij duket shumë e vëmendshme ndaj dinamikave komplekse ekonomike dhe gjeopolitike.

Fakti që Presidenti Trump në mandatin e kaluar ka përdorur dialogun dhe diplomacinë dhe jo luftëra dhe trazira ekonomiko-ushtarake, duket se tashmë Presidenti Trump ka përfshirë disa masa konkrete në programin e tij ekonomik për të adresuar kërcënimin që paraqet BRICS. Politikisht këto masa mund të përmblidhen në elementet që vijojnë:

1-Dialogu dhe diplomacia. Trump ka shfaqur gatishmëri për të negociuar me liderët e BRICS, si Vladimir Putin dhe Xi Jinping, për të reduktuar tensionet dhe për të siguruar që ekonomitë e tyre të mos braktisin plotësisht përdorimin e dollarit. Në të njëjtën kohë, ai mund të përdorë incentivime ekonomike ose heqje të sanksioneve për të siguruar bashkëpunim të vendeve nën ndikimin e tyre për përdorimin më masiv të dollarit amerikan në marrëdhëniet ndërkombëtare tregtare. Administrata e tij mund të ofrojë stimuj ekonomikë ose të heqë sanksionet në këmbim të ndalimit të përpjekjeve agresive të de-dollarizimit. Një diplomaci e tillë mund të synojë të reduktojë unitetin e bllokut BRICS.

2-Nxitja e ndarjeve të brendshme në BRICS. Analistët sugjerojnë se Trump mund të shfrytëzojë dallimet midis anëtarëve të BRICS, të tilla si ato midis Kinës dhe Indisë, ose përafrimi i Brazilit me interesat perëndimore. Kjo strategji mund të dobësojë shtytjen kolektive të BRICS për një kornizë të re monetare. Fakti që ai synon të rindërtojë raportet me Indinë dhe Brazilin në shumë fusha tregon për një politikë të kujdesshme të stimulimit të interesave personale të këtyre vendeve në raport me Unionin.

3-Partneritetet e reja strategjike. Një element tjetër i politikës ekonomike ndërkombëtare të administratës “Trump” është krijimi i Partneriteteve Strategjike në Azi dhe Amerikën Latine. Një pjesë e rëndësishme e planit të tij është kundërvënia ndaj ndikimit të Kinës në tregjet e Azisë dhe Amerikës Latine, duke krijuar aleanca ekonomike dhe tregtare, që promovojnë standardet perëndimore të financave dhe përdorimin e dollarit në këto rajone.

4-Forcimi i bashkëpunimit dollar-euro. Një vend të veçantë administrata “Trump” i ka dhënë bashkëpunimit midis euros dhe dollarit. Bashkëpunimi i mëtejshëm midis ECB dhe Fed mund të ndikohet nga nevoja për të ruajtur stabilitetin financiar global dhe për të kundërshtuar potencialin e lëvizjeve të BRICS për të dobësuar pozitën e dollarit. Gjithashtu, përpjekjet për të forcuar rezervat tradicionale, si obligacionet qeveritare dhe ari, mund të jenë një strategji kyçe për qendrat kryesore monetare në mbrojtje të interesave të tyre ekonomike. Masa këto që synojnë ruajtjen e stabilitetit të sistemeve financiare ndërkombëtare dhe funksionimit të tregjeve të huaja të këmbimit valutor, veçanërisht për dollarin dhe euron.

Gjithashtu, shumë ekspertë mendojnë se politika proteksioniste e Presidentit Trump mund të ndikojë në rolin e dollarit si monedhë ndërkombëtare në disa mënyra, duke prodhuar efekte të ndryshme pozitive dhe negative.

EFEKTE POTENCIALE NEGATIVE:

Politikat proteksioniste, si tarifat e larta tregtare ose kufizimet ndaj importeve mund të nxisin vendet e tjera të largohen nga sistemi i mbështetur në dollar. Kjo mund të ndodhë nëse partnerët tregtarë e konsiderojnë dollarin si më pak të qëndrueshëm, ose SHBA-të si më pak të angazhuara për tregtinë globale të lirë.

Vendet si ato të BRICS mund të përshpejtojnë zhvillimin e monedhave alternative ose sistemeve të pagesave digjitale si mBridge për të shmangur ndikimin e politikave amerikane lidhur me sanksionet dhe sistemet e pagesave. Këto masa do të dobësonin më tej përdorimin e dollarit në tregtinë ndërkombëtare.

-Proteksionizmi mund të përshkallëzojë konfliktet tregtare, duke përfshirë përdorimin e tarifave dhe sanksioneve dhe në ato vende, ku SHBA-të eksportojnë teknologji apo kapitale në tregjet financiare. Këto konflikte shpesh i bëjnë vendet të kërkojnë mënyra alternative për tregti dhe financim që nuk përfshijnë dollarin, siç është përdorimi i monedhave vendëse për tregti.

-Efekti i politikave proteksioniste në rolin e dollarit monedhë ndërkombëtare varet nga balancimi midis përfitimeve ekonomike të brendshme dhe ndikimeve gjeopolitike të jashtme. Ndërsa një ekonomi më e fuqishme amerikane mund të mbështesë dollarin, izolimi ekonomik dhe tensionet tregtare mund ta dëmtojnë besimin ndërkombëtar dhe të forcojnë iniciativat për de-dollarizim nga aktorët si BRICS.

EFEKTE POTENCIALE POZITIVE:

-Proteksionizmi mund të zvogëlojë deficitin tregtar të SHBA-ve, veçanërisht me Kinën, duke ulur varësinë nga importet dhe duke mbështetur prodhimin e brendshëm. Kjo mund të ndihmojë në ruajtjen e fuqisë së dollarit, veçanërisht nëse mbështetet nga politika monetare e qëndrueshme.

-Rritja e eksporteve është një element tjetër pozitiv. Fokusimi në eksportet e produkteve strategjike, si energjia, mund të ndihmojë në ruajtjen e dominimit të dollarit në tregtinë globale të mallrave thelbësore, duke penguar përpjekjet për alternativa ndaj tij.

-Në përgjithësi, fokusi i mandatit të dytë të Trump-it ka të ngjarë të synojë të ristrukturimin e disa institucioneve ndërkombëtare, me qëllim rritjen e ndikimit të SHBA-ve brenda këtyre institucioneve. Ai do të mundohet që të sfidojë kërcënimet e perceptuara ndaj hegjemonisë së dollarit dhe qeverisjes globale të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Donald Trump nuk ka përshkruar propozime specifike për reformimin e institucioneve si FMN, Banka Botërore dhe OBT në fushatën e tij 2024, por veprimet dhe retorika e tij e mëparshme sugjerojnë një fokus në riformësimin e këtyre organizatave për t’u lidhur më mirë me interesat e SHBA. Gjatë mandatit të tij të parë, administrata e tij kritikoi institucionet shumëpalëshe për joefikasitet dhe paragjykime të supozuara kundër SHBA-ve. Propozimet specifike të vitit 2024 nuk janë detajuar, reformat mund të përfshijnë presionin e këtyre institucioneve për të kufizuar kreditimin për vende si Kina ose rishikimin e strukturave të tyre qeverisëse për t’i dhënë SHBA-ve ndikim më të madh. Trump pas kritikave ndaj OBT-së në mandatin e kaluar, tashmë në një mandat të dytë, mund të vazhdojë të bëjë “presion” ndaj OBT-së për të reformuar rregullat e saj, veçanërisht në lidhje me Kinën. Pavarësisht analizave të mësipërme duhet theksuar fakti se politika ekonomike e administratës “Trump” është ende në fazën e kristalizimit të saj. Ajo që mund të themi, nisur nga diskutimet elektorale, deklarimet paraprake të ekipit të tij drejtues dhe profilin e bashkëpunëtorëve është se politika ekonomike amerikane do të mbështetet në stimulimin e biznesit vendës me përparësi zhvillimit teknologjik, duke përdorur çdo mjet të nevojshëm doganor, tatimor dhe monetar në funksion të zhvillimit të brendshëm të ekonomisë amerikane.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit