Kryeministri Edi Rama ka komentuar ngjarjen e tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, duke e cilësuar si të keqpërdorur dhe abuzuar në opinionin publik.
Në një takim me prindër dhe mësues në shkollën “Halit Coka” në Kamëz, Rama theksoi se janë shpikur histori të rreme, duke përfshirë një autor të pafajshëm dhe duke vënë në pikëpyetje punën e policisë.
“Dy vrasje që kanë ndodhur ajo e Pogradecit dhe kjo e 14 vjeçarit, janë përdorur në mënyrën më abuzive dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e policisë në raportim, duke shpikur një autori tjetër, një thikë tjetër. Fatmirësisht kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje, por është në video se si ka ndodhur.
Nuk ka autor tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata kur vetvetiu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje nga ku për fatin më të keq, është shkaktuar një vdekje e një fëmije. Dhe në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTok është edhe çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nga nevoja për audiencë dhe për ta përdorur shqetësimin që krijohet të prindërit, për t’i mbajtur pas ekranit duke iu treguar historira.”, shtoi Rama