Partia e Lirisë protestoi para SPAK-ut për arrestimin e Ilir Metës. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përcjellë një mesazh në protestë që u lexua nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.
“SPAK dhe Dumani janë garant të korrupsionit të Edi Ramës dhe në marrëveshje të plotë me të godasin me regji dhe mirëkuptim limona të shtrydhur të rilindjes, por pa cenuar kolonën vertebrore të këtij mekanizimi dhe sidomos edhe korruptorin e ndërkombëtarëve.
Ndaj edhe firmosi për rrëmbimin tim nga narkopolicia me nxitim mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë dhe mashtrojnë para gjykatës së arrestimi është bërë sipas ligjit” tha Meta.
Avokati i Ilir Metës, Genci Gjokutaj u shpreh se SPAK me GJKKO janë kthyer në një Juntë të rrezikshme për Shqipërinë.
“SPAK dhe GJKKO vijojnë dhe persekutojnë opozitën, jo vetëm me dy liderët e opozitës por edhe zotin Salianji dhe zotin Beleri.
Ligji është shkelur me të dyja këmbët, të gjithë duhet të jemi në këmbë që të mbrojmë jo vetëm opozitën, por të gjithë shqiptarët nga kjo Juntë që është kthyer në rrezik të madh publik. Këta gjyqtarë duhet t’i thërrasin mendjes”, u shpreh Gjokutaj.