Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar ndarjen e mandateve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Sipas vendimit, Tirana do të ketë një mandat më shumë, duke shkuar në 37 mandate, ndërkohë që qarkut të Korçës i është hequr një mandat, duke e çuar numrin e përfaqësuesve në 10.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të projektvendimit “Për caktimin e kufijve dhe ngritjen e zonave të administrimit zgjedhor” dhe ka përfshirë gjithsej 93 zona të administratës zgjedhore. Zgjedhjet do të mbahen më 11 maj 2025, datë e caktuar nga presidenti Bajram Begaj.
Në total, KQZ ka miratuar ndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit, të cilat janë si më poshtë:
- Qarku Berat 7 mandate
- Qarku Dibër 5 mandate
- Qarku Durrës 14 mandate
- Qarku Elbasan 14 mandate
- Qarku Fier 16 mandate
- Qarku Gjirokastër 4 mandate
- Qarku Korçë 10 mandate
- Qarku Kukës 3 mandate
- Qarku Lezhë 7 mandate
- Qarku Shkodër 11 mandate
- Qarku Tiranë 37 mandate
- Qarku Vlorë 12 mandate
Po ashtu, KQZ ka shqyrtuar dhe miratuar projektvendimin për krijimin e zonave të administratës zgjedhore, duke garantuar që bashkitë me më shumë se 80,000 shtetas me të drejtë vote të kenë ndarje në më shumë se një zonë zgjedhore.