Ekipet e shpëtimit po kërkojnë në rrënojat e një ndërtese trekatëshe banimi në Hagë, që u shemb pas një shpërthimi, që shkaktoi zjarr mëngjesin e sotëm.
Shkaku i shpërthimit ende nuk është i qartë, por policia bëri thirrje për informacione pasi një veturë është parë duke u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pak pas shpërthimit. Të paktën pesë shtëpi janë shkatërruar nga ky incident, thanë autoritetet, por ende mbetet e paqartë se sa janë të bllokuar nën rrënoja.
Ekipet e emergjencës kanë dërguar në spital katër persona menjëherë pasi u shemb ndërtesa, teksa ekipet e specializuara për shpëtimin e të mbijetuarve nga fatkeqësitë natyrore, nisën kërkimet nën rrënoja.
Shtëllunga të tymit janë parë duke dalë nga një vrimë e madhe që është krijuar në vendin ku gjendej ndërtesa e shembur. Pasi zjarrfikësit shuan zjarrin, pajisjet e rënda janë përdorur për të pastruar vendin nga rrënojat.
Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që të mbajnë të mbyllura dritaret dhe të ndalin sistemet e ventilimit për shkak të tymit.