-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Kush është Abu Mohamed al-Gjolani, që rrëzoi diktatorin sirian Al-Asad?

Kryesoret

Islamist i radikalizuar brenda rrjetit terrorist “Al-Kaida”, më pas kundërshtar i saj, nacionalist sirian dhe triumfues spektakolar në Damask: Abu Mohamed al-Gjolani është një figurë thellësisht kundërthënëse.

Një ngjarje nuk e pret tjetrën, një lajm lë tjetrin në hije, dhe në takt të sekondave shkruhet historia: pas gjysmë shekulli sundimi, dinastia diktatoriale e familjes Al-Assad u rrëzua nga pushteti në natën mes të shtunës dhe të dielës. Kështu njoftoi edhe televizioni shtetëror sirian. Në një mesazh për publikun, i shoqëruar me muzikë revolucionare dhe patriotike, u shpall “fitorja e revolucionit të madh sirian dhe rrëzimi i regjimit kriminal të Al-Assadit.” Data 8 dhjetor 2024 do të hyjë pa dyshim në histori. Dhe protagonisti kryesor i kësaj kthese dramatike në Siri quhet Abu Mohamed al-Gjolani. Kush është ky kryengritës që rrëzoi diktatorin Bashar al-Asad?

Më 27 nëntor, Al-Gjolani u shfaq në Kalanë e Halepit, i rrethuar nga truproja të paarmatosura. Qyteti i dytë më i madh në Siri përfundoi befasisht shpejt në duart e kryengritësve. Dymbëdhjetë ditë më vonë, më 8 dhjetor, rebelët marshuan në Damask, dhe në incizimet e publikuara në internet shihej kryeministri i vendit, Mohamed al-Xhalali, i shoqëruar nga njerëz të armatosur: ata po shkonin në një hotel në Damask për të formalizuar dorëzimin e pushtetit.

13 vjet pas shpërthimit të luftës brutale në Siri, e cila, sipas të dhënave të OKB-së, u kushtoi me jetë rreth 300 mijë njerëzve, Bashar al-Assadi, kasapi i Sirisë, iku nga pallati i tij. Vendndodhja e tij ende nuk dihet.

Në sipërfaqe ka dalë Abu Mohamed al-Gjolani, një 42-vjeçar, i cili është një figurë mjaft kundërthënëse. I lindur në Arabinë Saudite, ku babai i tij punonte si inxhinier në industrinë e naftës, Al-Gjolani vjen nga një familje me origjinë nga Lartësitë e Golanit. Ndryshe nga shumë islamistë që rrjedhin nga shtresat e paprivilegjuara të shoqërisë siriane, ai u rrit në lagjen e pasur “Masseh” të Damaskut. Para se të shkonte në mërgim, babai i tij ishte kundërshtar jofetar i regjimit të Al-Assadit dhe vuajti për shumë vjet në burgjet famëkeqe siriane.

Në një intervistë për kanalin amerikan PBS Frontline, dhënë më 2021, Abu Mohamed al-Gjolani tha se ishte radikalizuar nga Intifada e dytë: “Atëherë isha 17 apo 18 vjeç dhe fillova të mendoj se si mund të përmbush detyrat e mia, pra të ndihmoj popullin që shtypet nga pushtuesit dhe invazorët”.
Si mijëra të rinj nga bota arabe me prirje islamiste, edhe Al-Gjolani shkoi në Irak pas pushtimit të këtij vendi më 2003 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai luftoi në radhët e rrjetit terrorist “Al-Kaida”, por u arrestua nga forcat amerikane dhe u mbajt pesë vjet në burg, në Camp Bucca, në jug të Irakut.

“Kur u lirua në vitin 2011, pak para fillimit të kryengritjes siriane, Al-Gjolani kaloi kufirin me disa çanta plot para dhe me detyrën për të zgjeruar “Al-Kaidën”. Shumë njerëz në Irak ishin të lumtur ta shihnin të largohej. Ai kishte konflikte me udhëheqësit e “Al-Kaidës” atje, një rivalitet që sa vinte e bëhej më i madh”, shkruan gazeta britanike “Financial Times”.

Në Siri, Al-Gjolani themeloi Frontin al-Nusra, degën e “Al-Kaidës” në Siri. Në vitin 2013 ai refuzoi t’i betohej për besnikëri Abu Bakër Bagdadit, emirit të vetëshpallur të “Shtetit Islamik”. Nga ithtar i “Al-Kaidës”, “Al-Gjolani” gradualisht u përpoq të shndërrohej në një nacionalist sirian. A është e besueshme kjo metamorfozë? Mendimet e ekspertëve të rajonit janë të ndara. Disa e konsiderojnë atë një islamist me maskë, disa e përshkruajnë si një radikal pragmatik, dhe disa si një kryengritës që përpiqet të bëhet burrështetas. Duket se Al-Gjolani e ka prioritet sundimin në Siri dhe jo ndjekjen e ideologjisë transnacionale të xhihadit. Ai thotë se islami nuk mund t’i imponohet botës reale, ndonëse beson se bota duhet të udhëhiqet nga parimet islame. Retorika e tij tingëllon më e moderuar se ajo e radikalëve që pretendojnë të themelojnë një Kalifat në Siri.

Në vitin 2016, Al-Gjolani u distancua përfundimisht nga “Al-Kaida”, premtoi se qëllimi i tij nuk është të sulmojë shtetet perëndimore dhe garantoi se nëse e merr pushtetin, do të respektojë të drejtat e pakicës alevite, prej nga rrjedh edhe familja e Bashar al-Assadit.

Njëkohësisht, Al-Gjolani konsolidoi radhët në milicinë e tij islamiste Hayat Tahrir al-Sham (HTS), duke e profesionalizuar atë dhe duke larguar elementët radikalë. Ekspertja e Sirisë, Dareen Khalifa, e cila punon për International Crisis Group, kështu i përshkroi këshilltarët e Al-Gjolanit për “Financial Times”: “Janë njerëz të arsimuar mirë, të cilët e kuptojnë botën e jashtme. Ata nuk kanë mentalitet bunkeri”.

Në territoret e kontrolluara nga HTS-ja, si provinca e Idlibit, Al-Gjolani instaloi një administratë civile. Tani ai është në rrugë për t’u bërë sundimtari i ri i Sirisë. Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar HTS-në për krime lufte ndaj popullsisë civile. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ky grup militant është një organizatë terroriste. Për kokën e Al-Gjolanit, Washingtoni ofron 10 milionë dollarë.

Por Al-Gjolani po dërgon sinjale bashkëpunimi. Në drejtim të Perëndimit ai indirekt paralajmëron se është i gatshëm madje të shpërbëjë trupën e tij, ndërsa Moskës ia përcolli mesazhin se ai nuk e përjashton mundësinë për të arritur një bazë të përbashkët në rindërtimin e Sirisë. Rusia kontrollon dy baza të rëndësishme në Siri, në Hmeimim dhe Tartus në Mesdhe. Gazetari i televizionit shtetëror rus, Aleksandër Slladkov, shkroi në kanalin Telegram se nuk ka fare dëshirë të komentojë katastrofën në Siri. Ose e braktisim Sirinë, ose “qëndrojmë atje dhe çojmë dëm njerëz dhe granata”, nënvizoi Slladkov. Sipas tij, Rusia “mund të përpiqet të mbajë bazat në Hmeimim dhe në  Tartus (…), por jo me shumë gjak”./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit