-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fatos Çoçoli: Pse Shqipëria kaloi në Listën e Bardhë?

Kryesoret

Instituti i Bazelit për Qeverisje është një OJF e njohur ndërkombëtare me bazë në Zvicër, që vlerëson ecurinë e vendeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Më 2 dhjetor 2024, ky institut publikoi indeksin e tij të vitit 2024 (https://baselgovernance.org/publications/baselaml-index-2024), i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 37-të në botë, në listën e 164 vendeve të vrojtuara për rrezikun e pastrimit të parave. Vendi ynë ka kapërcyer 23 vende, nga vendi i 60-të ku ndodhej një vit më parë. Po përse? Cilat janë arsyet e këtij përmirësimi dhe kalimi nga Lista Gri në Listën e Bardhë të MONEYVAL? Indeksi i Institutit të Bazelit për Qeverisje, një institucion me besueshmëri të madhe, paraqet një vlerësim tërësor të rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ai bazohet në të dhëna nga 17 burime serioze të disponueshme publikisht, si Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF), MONEYVAL, Organizata “Transparency International”, Banka Botërore, Forumi Ekonomik Botëror dhe institucione të tjera ndërkombëtare me emër. Indeksi bazohet në një metodologji shkencore. Ai përmban 18 tregues, të kategorizuar në pesë fusha, në përputhje me pesë faktorët kryesorë, dobësia e të cilëve sjell një rrezik të lartë të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Këta faktorë janë cilësia e kuadrit ligjor, ryshfeti dhe korrupsioni, transparenca dhe standardet financiare, transparenca dhe përgjegjësia publike, si dhe rreziqet ligjore dhe politike. Faktori i parë ka 60 për qind të peshës në vlerësim. Përmirësimi i ndjeshëm i Shqipërisë lidhet kryesisht me një përmirësim të kuadrit ligjor të viteve të fundit. Më 27 tetor 2023, Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF), një strukturë e pavarur brenda sistemit të OECD-së, me qendër në Paris, vendosi në mbledhjen e saj plenare që të nxjerrë Shqipërinë nga Lista Gri e pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit, që solli edhe vendimin marrë nga MONEYVAL në nëntorin e vitit 2023, për të nxjerrë vendin nga lista e tij gri.

Po përse? Arsyeja kryesore është se Shqipëria ka zbatuar vitet e fundit hap pas hapi rekomandimet e dala nga monitorimi i FATF. Më 15 korrik 2020, ka realizuar Memorandumin e Bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, për rritjen e efektivitetit në hetimet që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale. Me këtë memorandum, të gjitha palët rritën dhe forcuan bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe kapacitetet institucionale dhe profesionale për të përmbushur rekomandimet e Komitetit të StabilizimAsociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe Planit të Veprimit të Task Forcës për Veprimin Financiar (MONEYVAL), në afatet e përcaktuara nga secili institucion përgjegjës. Palët nënshkruese arritën të ndërmarrin në kohë masat e nevojshme mbikëqyrëse, monitoruese dhe koordinuese, sipas kompetencave ligjore, duke kryer analiza të përbashkëta dhe duke shkëmbyer informacione midis njeri-tjetrit, me qëllim evidentimin e saktë dhe të plotë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushat e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe kryerjen e hetimeve pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

Për shembull, deri tani, në më pak se 5 vjet, SPAK ka sekuestruar 150 milionë euro asete të krimit dhe korrupsionit. Nuk është pak, për një vend si i yni. Po në vitin 2020, qeveria miratoi në Kuvend Ligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Ky ligj u siguron strukturave të shtetit tonë informacion të plotë për pronarët e të gjitha strukturave të biznesit në Shqipëri, duke përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse. Ligji u përmirësua sërish edhe gjatë vitit 2021, duke u mundësuar në kohë reale me dhjetëra mijëra bizneseve dhe OJF-ve të hedhin në regjistrin elektronik të krijuar, të dhënat e plota të pronarëve të tyre, brenda 30 ditëve kalendarike të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ndryshimet mundësuan po ashtu kalimin automatik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit, për subjektet raportuese që kanë pronësi direkte, duke iu referuar gjendjes se ortakërisë, të regjistruar në Regjistrin Tregtar. Kjo i mundëson çdo institucioni shtetëror tek ne që ndërmerr një hetim për një transaksion të dyshimtë, që të ketë në kohë reale të dhënat për pronarët përfitues të subjektit që ka kryer transaksionin. Një ligj tjetër, zbatimi i të cilit në praktikë e bindi FATF që Shqipëria e ka seriozisht me luftën ndaj pastrimit të parave, ishte Ligji për Regjistrin e Llogarive Bankare, që daton po vitin 2020 dhe që hyri në zbatim në vitin 2021.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit