Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Lezhës Agron Gjekmarkaj ka denoncuar me një postim në rrjetet sociale presionin e organeve te qeverisjes vendore ndaj punonjësve të tyre për të plotësuar formularë me emrat e atyre njerëzve të afërt që janë në emigracion.
“Qeveria në ikje dhe oborrtarët e saj në çdo sektor shtetërorë po përdorin presion mbi çdo punëmarrës për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme. Si deputet dhe drejtues politik i Qarkut të Lezhës, i bëj thirrje organeve të hetimit të vejnë para drejtësisë personat përgjegjës.
Një thirrje të veçantë për SPAK, që mos të neglizhojë asnjë rast të dyshimtë, sa do i vogël në dukje të parë, pasi Lezha mbetet një ndër zonat me numrin më të lartë të krime elektorale që kanë deformuar vullnetin e sovranit. Nuk do të hezitojmë të denoncojmë zyrtarisht në SPAK çdo tentativë për manipulim të votës por edhe çështje të tjera me natyrë korruptive” deklaron ai.