Ditën e sotme do të dalin përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë Isni Kilaj në çështjen ku ai po akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengimi të drejtësisë.
Gjithashtu edhe Kuçi do të paraqitet sot për herë të parë. Atij i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, të hënën, më 9 dhjetor.
Seanca për Kuçin pritet të nisë në orën 10:00 ndërsa për Kilajn në orën 13:00. Të dielën në paraqitjen e parë për këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi i ka kërkuar Gjykatës Speciale që t’i respektohen të drejtat.
Pasi u pyet se a do të deklarohet që në seancën e parë mbi akuzat e reja të ZPS-së, ai kërkoi që Gjykata Speciale t’ia respektojë të drejtat. Thaçi u shpreh i befasuar me aktakuzën.
“Krejt papritmas para dy-tre ditësh u njoftova për aktakuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por nuk jam pjesë e garës elektorale”, ka thënë Thaçi. Ai në fjalimin e tij, ka thënë se nuk i shkel ligjet.
E mbi fajësinë, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës nuk deshi të deklarohet në seancën e së dielës.