-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

BIRN: Komisioni i Venecias rrëzon pretendimet e PS për çështjen “Xhaçka”

Kryesoret

Pasi refuzoi të zbatonte një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka, kryetarja e Kuvendit iu drejtua në shtator të këtij viti me një set pyetjesh Komisionit të Venecias me pretendimin se çështja kishte nevojë për një interpretim.

Në përgjigjen e publikuar të martën, Komisioni i Venecias rithekson normën e gjithëditur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

“Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese për kompetencat vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë vendimin në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë mbi çështjen e kufizuar, ashtu siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në konkluzionet e Komisionit të Venecias.

Komisioni arsyeton se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e “besnikërisë ndaj Kushtetutës si një element i shtetit të së drejtës”. Ekspertët interpretojnë se kjo nuk duhet lexuar si detyrim i deputetëve për të votuar në një mënyrë të caktuar, por si “një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës”.

Po ashtu, opinioni thotë se ndërsa deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar, ata mund të votojnë vetëm për çështje që janë brenda kompetencës së Parlamentit. Komisioni i Venecias thekson se përsa kohë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai vetëm mund të zbatohet.

“Për shkak se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, njihen nga kushtetuta si detyruese, të gjitha autoritetet janë të detyruara të respektojnë këto vendime dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë efektive”, thuhet në opinion.

Duke iu referuar refuzimit të shumicës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese bazuar mbi pretendimin e lirisë së votës së deputetit, Komisioni e bën të qartë në opinion se kjo nuk qëndron.

“Sidoqoftë, Komisionit dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë tashmë një vendim, sipas të cilit Kuvendi është i detyruar të dërgojë mocionin mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit specifik në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në arsyetim.

Komisioni i Venecias më tej ka refuzuar të dalë me përfundime mbi çështjen konkrete, duke vënë në dukje se qëndrimet mbi papajtueshmërinë nuk kanë standard të përcaktuar ndërkombëtar dhe se për këto vendoset rast pas rasti apo bazuar në legjislacionin e vendit. “Sa i përket procedurës për vendimmarrjen mbi papajtueshmërinë, nuk ka standarde të qarta”, thuhet në opinion.

Xhaçka akuzohet se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie, hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.

Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflikt interesi, nuk ka përfituar asnjë centimetër tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik.

Përplasja mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese vijon prej gati dy vjetësh, pasi shumica parlamentare ka zvarritur vazhdimisht vendimmarrjen për këtë çështje, duke refuzuar të dërgojë në Gjykatë për shqyrtim mocionin për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mandatit të Xhaçkës të kërkuar nga opozita.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese doli me vendim në të cilin e akuzoi shumicën parlamentare se kishte shkelur kushtetutën dhe cënuar themelet e shtetit.

“Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës”, shkruhet në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, e cila kërkoi që Kuvendi t’ia referonte çështjen siç ishte kërkuar në vendimin e saj.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit