Kur më 1904 u hap një segment i hekurudhës që lidhte kryeqytetin e Sirisë me Medinën në Arabinë Saudite, anëtar i delegacionit osman ishte edhe Eqrem Bej Vlora. Por, ai nuk ishte shqiptari i vetëm. Nga ishulli i Rodosit deri në Damask ai kudo u prit nga funksionarë osmanë me origjinë shqiptare.
Sulltan Abdylhamiti kishte një ëndërr. Dëshironte ta lidhte Stambollin me Mekën – nëpërmjet hekurudhës. Mes viteve 1901-1908 ai e ndërtoi pjesërisht këtë udhë për t’ua bërë më të lehtë udhëtimin pelegrinëve nga kryeqyteti i Perandorisë Osmane në Mekë, qytetin më të shenjtë të myslimanëve, aty ku u lind Profeti Muhamed. Hekurudha e Hexhazit lidhte Damaskun, kryeqytetin e Sirisë, me Medinën, qytetin tjetër të shenjtë për myslimanët. Në Mekë s’arriti.
Damasku konsiderohet ndër vendbanimet më të hershme të botës. Xhamia e Madhe të Damaskut ose xhamia e obajadëve është një oazë e prehjes, e qetësisë dhe ndër veprat më të rëndësishme arkitektonike, me plane që bazoheshin në bazilikën antike. Hekurudha e Hexhazit fillon në Damask. Ishte dëshirë e Sulltan Abdylhamitit që rruga për tren të ndërtohej vetëm nga myslimanët. Por kjo s’qe e mundur, andaj autoritetet osmane e angazhuan inxhinierin gjerman Heinrich August Meissner (1862-1940). Ai kishte tashmë përvojë pune në Perandorinë Osmane. Mes viteve 1888-1892 Meissner ndërtoi hekurudhën Izmir-Ankara, ndërsa nga 1892 deri më 1894 projektoi hekurudhën nga Selaniku në Manastir. Pas realizimit të hekurudhës se Hexhazit, Meissner ndërtoi nga 1910 deri më 1914 hekurudhën e famshme nga Konia në Turqinë e sotme deri në Bagdad (në gjermanisht njihet si Bagdadbahn). Meissner, i lindur në Leipzig, studioi në po këtë qytet gjerman ndërtimin e hekurudhave, pastaj mori rrugën drejt Orientit. Për ndërtimin e hekurudhës së Hexhazit u angazhuan mijëra burra, kryesisht ushtarë osmanë. Për shkaqe fetare, Meissner nuk e kishte të lejuar të futej në juglindje të qytetit të Ma’anit në Jordaninë e sotme, andaj aty punuan vetëm inxhinierë myslimanë. Ma’ani është qyteti i fundit i madh para Medinës.
Segmenti Damask-Aman-Ma’an u hap në vitin 1904, ndërsa më 1908 hekurudha arriti në Medinë. Ajo ka më shumë se 1.500 ura dhe kalime, si dhe 96 pika ndalimi në një gjatësi prej 1.308 kilometrash. Pothuajse i gjithë materiali i nevojshëm për hekurudhën (shinat, pragjet, vagonët, lokomotivat me kapacitet të madh për ujë) u sigurua nga Gjermania me propozimin e kryeinxhinierit Meissner. Hekurudha e Hexhazit, e cila pati edhe një rëndësi të madhe ushtarake, iu dorëzua Ministrisë së Luftës të Perandorisë Osmane në vitin 1911.
Segmenti Damask-Aman-Ma’an konsiderohej si ndër më të rëndësishmit, andaj në hapjen e tij mori pjesë edhe një delegacion nga Stambolli, pjesë e të cilit ishte edhe Eqrem Bej Vlora, politikani dhe publicisti i mëvonshëm shqiptar, i njohur sidomos me kujtimet e tij të shkruara në gjuhën gjermane. Në këto kujtime Eqrem Bej Vlora përshkruan gjerësisht udhëtimin e tij nga Stambolli në Damask, më 1904. Pothuaj kudo ku ndalet, delegacioni takon shqiptarë, të cilët ushtronin funksione të ndryshme në administratën e Perandorisë Osmane. Shef i komisionit qeveritar osman ishte Turhan Pasha – një shqiptar. Kur anëtarët e komisionit arritën me anije në ishullin Rodos, atje u takuan me guvernatorin e ishujve të Egjeut, me Abedin Pashë Dinon – edhe ky shqiptar. Kur anija arriti në Portin e Bejrutit, Eqrem Bej Vlora bëhej gati të takonte valiun e Bejrutit, Halil Pashë Alizotin – edhe ky ishte shqiptar. Nga Gjirokastra.
Nga Bejruti komisioni qeveritar vazhdoi udhëtimin me tren drejt Damaskut të Sirisë. Kur treni hyri në stacionin e trenit në Damask, mysafirët u pritën me muzikë e valle. Aty Eqrem Bej Vlorën po e mirëpriste kryekadiu i Sirisë, Nazif Efendi Jusufati – ky ishte shqiptar nga Libohova.
Në një udhëtim tjetër Eqrem Bej Vlora përshkruan se më 1905 arriti në al-Katif të Arabisë së sotme Saudite. Aty ishte selia e nënguvernatorit të provincës al-Hasa, e cila i përkiste Vilajetit të Basrës në Irakun e sotëm. Eqrem Bej Vlora shkruan: “Na çuan menjëherë te nënguvernatori, që për çudinë time na doli shqiptar. Quhej Mahmut Mahir Efendiu dhe ishte nga Berati. Një burrë i shkolluar dhe shumë i ditur”.
Eqrem Bej Vlora nuk i shmanget dot tundimit pa e pyetur nënguvernatorin se çfarë do të bëhet me Shqipërinë kur një ditë do të qeveriset nga gjithë këta njerëz prepotentë, të mësuar vetëm të urdhërojnë dhe drejtojnë? Eqrem Bej Vlora e ka fjalën për shqiptarët që kishin bërë karriera të mëdha në Perandorinë Osmane. Përgjigjja e nënguvernatorit ishte frikësuese: shqiptarët do ta hanë njëri-tjetrin, siç kanë bërë shpesh gjatë historisë.
Në Kuvajt, Eqrem Bej Vlora nuk gjeti ndonjë udhëheqës lokal me origjinë shqiptare, por takoi emirin Mybarek es-Sabah. Ky e priti me shumë nderime, sepse nuk e kishte harruar pritjen që ia kishte bërë në Stamboll veziri i madh, pra kryeministri i Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlora. Natyrisht, edhe ky ishte shqiptar. Udhëtimi i Eqrem Bej Vlorës përfundoi në Karaçi të Pakistanit, prej nga ai u kthye – përmes Aleksandrisë – në Stamboll.
Por nuk qëndroi gjatë këtu. Bashkë me dy motrat e tij të sëmura nga tifoja dhe të shoqëruar nga një infermiere gjermane, mori rrugën drejt rivierës franceze – ata kaluan nëpër Budapest, Vjenë, Salzburg, Merano, Milano, Torino dhe Gjenova dhe arritën në Kanë (Cannes), ku qëndruan tri javë. Në kthim e sipër për në Stamboll vizituan Napolin, Palermon, Taorminan, Katanian (Catania), Athinën dhe Izmirin.
Në Kanë, Eqrem Bej Vlora shkroi veprën e tij të parë politike me titull “Qëllimet dhe e ardhmja e shqiptarëve” (Ziele und Zukunft der Albanesen), të cilën e botoi më vonë me pseudonimin Merke Yeb Arolv në revistën “Österreichische Rundschau” më 1908. Kujtimet e tij, të shkruara në ekzil pas Luftës së Dytë Botërore, janë pa dyshim ndër veprat më me vlerë të një personaliteti të rëndësishëm dhe dëshmitari të ngjarjeve të mëdha historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve./KOHA