Trajneri i njohur Pep Guardiola ka deklaruar se Manchester City do të jetë klubi i fundit që do të drejtojë në karrierë. Spanjolli ka nënshkruar një kontratë të re me City deri në verën e vitit 2027.
“Nuk do të bashkohem me një tjetër klub. Nuk po flas për një të ardhme shumë të largët, por nuk do të shkoj në një vend tjetër për të drejtuar një klub tjetër. Nuk do të kisha energjinë. Tani jam ende këtu, por – të nisësh gjithçka nga fillimi, gjithë procesin e stërvitjes; jo, jo, jo”, shtoi ai.
Po një kombëtare? “Po. Mund të ndodhë, por është ndryshe. Nuk është (stërvitje) çdo ditë, (nuk ka ndeshje) çdo tri ditë. Mendoj se do të duhet të ndalem (me drejtimin e klubeve).
E imagjinoj veten si ata shefat e kuzhinës që shkojnë në vende të tjera për të parë (si funksionojnë gjërat); të ndalem për të parë çfarë kemi bërë, çfarë mund të bëjmë më mirë.
Në përditshmëri nuk kemi shumë kohë për të pushuar. Është e vazhdueshme dhe mendoj se të pushoj do të ishte mirë për mua. Por jo tani, jam ende këtu (te City)” tha ai.