-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Shamash, qiriu i nëntë

Kryesoret

Morton Abramowitz, një figurë legjendare diplomatike dhe në një befasi historike këshilltar i delegacionit kosovar në Rambouillet, vdiq në moshën 91-vjeçare. Kosova pati fatin e madh të qenit e prekur prej dritës së tij.

1.

Morton Abramowitzi në 91 vjetët e tij të jetës ka hyrë dhe ka dalë një herë të vetme prej Sinagogës.
Kështu thotë rabini që shërben në Sinagogë, ai duhet ta dijë.
E dinë edhe familja e miqtë, pothuajse që të gjithë që jemi mbledhur në shërbesën e fundit para varrimit. Dhe të gjithë qeshim. Po të besoja në jetë pas vdekjes do të mund të imagjinoja se si qesh më së shumti vetë Morti brenda në arkivol. Hera e parë dhe e fundit që ka hyrë në Sinagogë është kjo, brenda në arkivol, jo pra edhe aq me dëshirën e tij.
Dhe, siç e cekin ata që e njohin, familjarë e miq, duhet shumë gjë e veçantë që kjo t’i ndodhë të birit të një familjeje ortodokse hebrenje nga Lituania e ardhur në New Jersey, prej nga largohet në bregun tjetër të Amerikës, në Kaliforni, për të studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare.
Dikush një herë i tha që ai nuk mund të ikë nga religjioni, për më tepër nga judaizmi, dhe ai u shpotit me fëmijët e vet, “A thua edhe qeni ynë i përket judaizmit?”.

2.

Kush është ky Abramoviqi,  me prejardhje sllave, pyeti njëri prej anëtarëve të delegacionit të Kosovës në Rambouillet, kur pa listën zyrtare të delegacionit të Kosovës që iu dorëzohej organizatorëve francezë?
Pyetësi nuk kishte dëgjuar për të, ndonëse ai qe bërë i njohur posaçërisht në intervistat e deklaratat që i transmetonte “Zëri i Amerikës” gjatë krizës të ish-zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Morton  Abramowitz u bë zëri kritik ndaj administratës amerikane duke kërkuar mbrojtje për viktimat e luftës në Bosnjë-Hercegovinë. E pastaj edhe në Kosovë.
Në fakt, nuk ishte vetëm një Abramowitz, ishin dy. Bashkëshortja e tij, Sheppie, u bë e njohur kur si gruaja e ambasadorit amerikan në Tajlandë u angazhua për refugjatët kamboxhianë të përndjekur nga diktatura e Khmer Rouge. Më herët, derisa ishin në Hong-Kong, u angazhua për refugjatët vietnamezë. Më vonë, kur themeloi zyrën e IRC-së (organizatë që shumë kosovarë do ta mbajnë mend nga koha e tyre prej refugjati) në Washington, do ta marrë për krahu Richard Holbrookeun dhe do ta çojë në Bosnjë- Hercegovinë – ende pa marrë ndonjë detyrë për këtë krizë – për të parë tmerrin humanitar që po ndodhte gjatë asaj lufte.
Kur Mort Abramowitzi fliste për krizën e radhës apo asaj që po ndodhte tani ndokund në botë, Washingtoni zyrtar e dëgjonte me vëmendje  zërin e këtij diplomati tani në pension, por po ashtu zërin e një aktivisti për të drejtat e të përndjekurve – që të gjithë tashmë ishin bindur për ndjeshmërinë e tij për viktimat, por edhe më shumë se përse SHBA-ja , me fuqinë e vet, mund dhe duhet të ndërhyjë për të shpëtuar jetë. Dhe, përse kjo është në interesin strategjik amerikan.
Ja rasti me kurdët. Morti ishte njëri prej miqve më të mëdhenj që kishte Turqia në Washington. Çfarëdo që të ndodhte në Ankara e që kishte kritika në shtypin amerikan – dhe këtë e di nga dora e parë, nga bisedat me të – do të merrte të gjitha elementet në konsideratë, por në fund do të përsëriste se SHBA-ja duhet t’i qëndrojë pranë Turqisë, fuqisë e cila është e rrethuar me aq shumë probleme gjeopolitike, e, megjithatë, mbetet aleati më i fuqishëm i NATO-s.
Kur krisi lufta e parë e Irakut, Mort Abramowitz si ambasador në Ankara shfrytëzoi vizitën e sekretarit të atëhershëm të shtetit, Baker, e çoi në kufirin me Irakun për të parë me sy të vet gjendjen e refugjatëve kurdë që iknin nga lufta, dhe në atë moment lindi ideja e shpalljes së zonës së ndaluar të fluturimeve mbi Kurdistanin irakian, një moment kthesë që shpëtoi kurdët nga gjenocidi dhe krijoi bazat e një shteti funksional (ndonëse ende jo të pavarur) kurd brenda Irakut.

3.

Me Mortin u njoha gjatë avokimit të tij për Bosnjë-Hercegovinën si drejtues i Fondacionit Karnegi për Paqe Ndërkombëtare, aty ku që nga mesi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar i fola audiencës diplomatike e politike amerikane për krizën e radhës, asaj të Kosovës. Pothuajse në të njëjtën kohë i erdhi ideja për themelimin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, një organizatë e rëndësishme joqeveritare e dedikuar për parandalimin e luftërave. Pothuajse nuk kishte herë që shkoja në Washington, e në periudhën 1997-1998 kjo ndodhte jashtëzakonisht shpesh – në çdo stinë të vitit disa herë – e që nuk uleshim së bashku me miq të tjerë për të analizuar situatën në Ballkan dhe atë në Washington – sepse në fund përputhja mes zhvillimeve në këto të dyja do të arrinte në zgjidhje.
Morti kishte gjithnjë një buzëqeshje djaloshare që përcillte sensin e tij të hollë të humorit edhe kur bisedohej për temat më të rënda, si ajo e gjenocideve në përgatitje apo të atyre që po ndodhnin. Dhe nuk dija a ishte shpotitje apo e kishte seriozisht kur më tha se nëse doja mund të vinte me ne në Rambouillet. “A po më merr?”, tha me gaz.
Përgjigjja ishte e natyrshme. Një çast më parë qemë dakorduar që të kërkoja që Paul Williams, ekspert kushtetues, profesor i Universitetit Amerikan dhe njëri prej njerëzve që u tërhoq nga Qeveria amerikane në shenjë proteste ndaj mosveprimit amerikan në Bosnjë-Hercegovinë, të jetë këshilltar yni ligjor në Rambouillet. Por as që mund të paramendoja që të mund të kërkoja që njeriun e staturës së tij të mund ta ftoja si këshilltar të delegacionit të Kosovës.
Të ngazëllyer ishin dr. Rugova, dr. Bukoshi, dr. Agani. Njeri prej të pakënaqurve pyeti në Rambouillet se kush ishte ky sllav.

4.

Personi që me vite të tëra trazonte miqtë e tij të nivelit të lartë në State Department, Pentagon dhe Kongres -“çka jeni duke bërë në Kosovë?”, “kjo që bëni në Kosovë vetëm sa i jep krah Milosheviqit”, “duhet të kërcënoni me forcë, dhe ai kërcënim duhet të ketë dhëmbë” – hyri në Rambouillet si anëtar i delegacionit tonë. Kishte durimin e mahnitshëm ndërsa dëgjonte debatet tona të pafund në sallën tonë në Kështjellë. Ndërsa ia përkthenin atij, Paul Williamsit dhe Marc Wellerit , vëreja shikimin e tij të përqendruar në tavolinë, duke procesuar në kokë informatën; përpiqej të kuptonte për vete se çka po ndodhte dhe po ashtu përpiqej të formulonte më së miri se çka është pozicioni i Kosovës në këto negociata, në mënyrë që këtë t’ua shpjegonte miqve të tij të Washingtonit, në radhë të parë zonjës Albright, me të cilën kishte afërsi të kahershme.
Fjala e tij na nevojitej si një vulë e dyfishtë besimi. Disa prej nesh që kishim besueshmëri në Amerikë, në dy vjetët e fundit ishim munduar bukur shumë ta bindnim administratën se UÇK-ja nuk ishte një guerilje marksiste-leniniste që luftonte për një Kosovë të një rendi jodemokratik (dhe nuk qe lehtë, me etiketimin fillestar të “terrorizmit”, përshëndetjes me grusht dhe fjalorit politik të kohës së Enver Hoxhës).  Fjala e tij, që do të përshkruante një delegacion që përpiqej të ndërtonte një konsensus të paprecedent, ishte me peshë për të tejkaluar çfarëdo paragjykimi për përfaqësinë kosovare.  Dhe, fjala e tij, se SHBA-ja do të respektojë apo jo marrëveshjen që ishim duke bërë me ta, do të kishte peshë vule për pjesën përgjegjëse të delegacionit.
Delegacionit të shqiptaro-amerikanëve, që erdhën me  senatorin McConell për të na vizituar në Kështjellë, iu tha (pothuajse u dha për detyrë) që të sigurohen me administratën amerikane që marrëveshjen që e nënshkrova në emër të delegacionit të mos ndryshojë në asnjë formë përmbajtjesore. “Kjo është tash fjala jonë ndaj Kosovës” , tha Morti.
Dhe, kjo u përsërit pastaj nga sekretarja Albright dhe nga presidenti Clinton. Një politikë për të cilën kishte avokuar nga mesi i viteve nëntëdhjetë – që të parandalohet gjenocidi i mundshëm në Kosovë – tashmë kishte marrë formë zyrtare.

5.

Rabini tha se Mort Abramowitz ishte njëri prej hebrenjve më të mirë, edhe pse kjo kishte qenë hera e parë dhe e fundit e tij në Sinagogë. Dhe shpjegoi, në traditën rabinike, pse.
Në festën e shenjtë hebraike Hanuka ndizen qirinjtë e Menoras (qirambajtësit të traditës religjioze). Pyetja që ka zënë debatet rabinike ishte se a duhet ndezur qirinjtë prej të parit deri te i teti (sa zgjasin ditët e Hanukas) apo nga i teti në të parin. Debatet kanë zgjatur (dhe po, ekziston përgjigjja e nuk është me rëndësi për këtë rrëfim), por në debat është harruar qiriu i nëntë, që quhet Shamash. Ai është qiriu që shërben për të ndezur tetë të tjerët, dhe vendi i tij është pak më i lartësuar se të tetët. Emri i këtij qiriu do të thotë “shërbëtor” dhe bart simbolikën e shërbëtorit  që sjell dritë për të tjerët.
I këtillë ishte Morton Abramowitz për të afërmit, bashkëpunëtorët, miqtë, të përndjekurit, popujt. Ndërsa largohej nga Sinagoga për në varreza, ndjeva begatinë e të qenit i  prekur nga drita e këtij Shamashi, dritë që ndriçoi edhe për Kosovën./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit