Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka shpallur se buxheti i Bashkisë për vitin 2025 do të ofrojë transport falas për të gjithë pensionistët e kryeqytetit. Kjo iniciativë është një pjesë e programit për të mbështetur ata që kanë kontribuar gjatë viteve për zhvillimin e Tiranës.
Veliaj theksoi se çdo pensionist, që përfshin gratë mbi 60 vjeç dhe burrat mbi 65 vjeç, do të përfitojë një abone të përgjithshme falas për transportin publik, e cila zakonisht kushton 16 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo do të thotë se bashkia do të subvencionojë plotësisht koston, duke garantuar që pensionistët të kenë mundësi lëvizjeje pa kosto.
“Në këtë mandat të tretë është koha për t’u siguruar që mbarojnë të gjitha punët e rëndësishme për qytetin. Por, me buxhetin e ri ne propozojmë një projekt të cilin unë e kam shumë për zemër: aboneja falas për pensionistët e Tiranës, pra për të gjitha gratë mbi 60 vjeç dhe burrat mbi 65 vjeç. Aboneja e përgjithshme kushton 16 mijë lekë të vjetra në muaj. Në total janë 192 mijë lekë. Përveç bonusit që jep qeveria për pensionistët, bashkia jep çdo muaj një 16 mijë lekësh, në formën e abonesë. Pra, transport falas për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet tona, për të cilët jemi mirënjohës për sakrificën dhe punën e tyre. Mund të jetë dikush që pyet: “Pse e bëtë tani, pse jo që në fillim?” Sepse nuk i kishim mundësitë në fillim. Trashëguam një Tiranë totalisht të falimentuar. Sot kur kemi bërë pjesën më të madhe të punëve, Tirana e ka mundësinë që të jetë e majtë, solidare dhe mbështetëse për ata që i kanë dhënë më shumë qytetit tonë, që janë pensionistët”, deklaroi Veliaj.
Me këtë nismë, Bashkia e Tiranës synon të ofrojë mbështetje për pensionistët, duke e bërë transportin publik më të aksesueshëm për ata që e kanë nevojë.