Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në emisionin “Log.” të News24, shpjegoi arsyet e kërkesës së saj drejtuar Komisionit të Venecias lidhur me afatet e mandatit të saj. Ajo theksoi se situata e saj është e komplikuar për shkak të mbivendosjes së funksioneve, duke pasur si detyrë kryetarin dhe gjithashtu si gjyqtare.
“Unë e mora me seriozitet dhe vendosa dhe meqe duket sikur këtu kemi një situatë që nuk është e rregulluar dhe nuk bazohet në praktikën 32 vjeçare vendosja ti drejtohem Komisionit të Venecias në kompetencën time si kryetare. Publiku duhet të kuptojë që situata ime është një situatë e vështirë sepse kam një mbivendosje të funksioneve, kam funksionin e kryetarit që duhet të kryejë këtë procedurë, kam edhe mandatin e gjyqtarit, që është në pikëpyetje nëse është duke mbaruar.”
Ajo përmendi se mori pjesë në mbledhjen e gjyqtarëve për të eliminuar dyshimet se po përpiqej të ruante pozitat e saj, duke theksuar se gjykata duhet të veprojë lirisht dhe se rezultatet e mbledhjeve duhet të shpallen.
“Kjo mbledhje gjyqtarësh, unë nuk kam qenë e pranishme. Gjykata duhet të veprojë lirisht. Një mbledhje që del me votim ne e kemi si detyrim që të shpallim rezultatin. Mbledhjet për përfundimin e mandateve nuk zgjasin më shumë se 30 minuta”, tha Zaçaj.