Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një intervistë për emisionin “Log” në News 24, theksoi se vendosja e përfundimit të mandatit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, është kompetencë ekskluzive e Mbledhjes së Gjyqtarëve të GJK.
Gazment Bardhi: Ajo që kam parë me shqetësim është konflikti i kompetencave mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë me njoftimin që ka kryer, ka tejkaluar kompetencat e Kushtetutës. Nuk mundet që kryetari i Gjykatës së Lartë të thotë “se unë mendoj se ka mbaruar mandati i një anëtareje të GJK”. Në rastin konkret, kryetari i GJL nuk mund të dalë në përfundim se kur mbaron mandati i anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Se kur u mbaron mandati i Zaçkës, i takon Mbledhjes të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe askujt tjetër, as Kuvendi.
Politika nuk duhet të ndërhyjë në këtë debat. Mandati mbaron me afat, duke marrë parasysh se kur bëhet betimi. Kjo situatë mund të kthehet në një precedent, ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk merren më për bazë. Por, vendimet e GJK nuk duhen kundërshtuar.