Kryeministri Albin Kurti në rrjetin e tij social ka njoftuar vendimin që qytetarët e Bosnjë dhe Herecegovinës nga 1 janar 2025 mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Republikës së Kosovës.
Kurti shprehet se ky vendim do të rrisë lidhjet mes Kosovës dhe Bosnjës, si dhe do të shtojë mundësitë për bashkëpunim, e të nxisë shkëmbimet në arsim, kulturë, sport.
“Në nëntor janë bërë dy vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në Berlin, si pjesë e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Vendi ynë ishte i pari që e kishte ratifikuar këtë marrëveshje në parlament. Bllokada nga entiteti i Republikës Srpska i ka privuar për shumë gjatë qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në kohën kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian. Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnje dhe Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnje dhe Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes.”, shkruan Kurti.