Në çështjen gjyqësore kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për pranimin e dëshmive të nëntë dëshmitarëve me shkrim. Kjo është bërë e ditur gjatë konferencës javore të Dhomave të Specializuara të Kosovës nga zëdhënësi Michael Doyle.
Po ashtu, u njoftua se një dëshmitar ka kërkuar të japë dëshmi përmes video-lidhjes, me masa mbrojtëse, dhe kjo kërkesë është miratuar më 9 dhjetor.
Në lidhje me çështjen e Salih Mustafës, Kryetarja e DHSK-së ka emëruar një panel të Gjykatës Supreme për të shqyrtuar dy kërkesa që lidhen me ligjshmërinë e dënimit të tij, i cili ishte vendosur nga Gjykata e Apelit. Mustafa pretendon se dënimi për vrasje të paligjshme është i tepërt, ndërsa Prokuroria e sheh atë si të ulët dhe kërkon një rishikim të dënimit.
Konferenca diskutoi gjithashtu aktakuzat kundër Hashim Thaçit dhe disa të akuzuarve të tjerë për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.