Tirana në fazën finale të përgatitjeve për koncertin e madh të Kanye West. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në stadiumin ku po ndërtohet infrastruktura për koncertin e madh të Kanye West, që do të zhvillohet të shtunën, më 11 korrik, në Tiranë.
“Janë angazhuar 3500 punëtorë që nga momenti që kemi filluar. Paralelisht tani punojnë ekipe ditë-natë, 24 orë, është gjithë teknika që rajoni siguron sepse është teknikë shumë e vështirë për tu gjetur sepse gjithë bota punon shumë, sidomos kontinenti jonë punon shumë me eventet live tani. Është një projekt nga pikëpamja teknike që ndodh shumë rrallë dhe kërkon një impenjim të jashtëzakonshëm”, – u shpreh ministri Gonxhja.
Në kantier po instalohet një infrastrukturë teknike, e cila, për shkak të kompleksitetit të saj, kërkon koordinim të gjerë logjistik dhe profesional. “Si ambicie, edhe ata i ka habitur dhe janë gjendur edhe me një kuriozitet por edhe një përkushtim që është i jashtëzakonshëm, te gjithë artistë; grupi i regjisë, grupi i teknikës, grupi i sigurisë së tij janë befasuar. Prisnin një Shqipëri tjetër, duhet ta themi. Edhe gjermanët që na njohin më mirë, edhe ata janë befasuar.
Kanë ardhur grupe natyrisht edhe nga Turqia, që ne punojmë më shpesh. Grupet e Evropës nga Anglia, nga Franca, nga Holanda janë të gjithë të befasuar me kushtet dhe me ambicien shqiptare që me 65 mijë katrorë, një stadium i improvizuar. Një pjesë e mirë e njerëzve të cilët edhe dezinformohen, nuk e kuptojnë në fakt rëndësinë që ka ky event, rëndësinë që ka kjo ndërmarrje, jo vetëm nga pikëpamja e vështirësisë, po themi, të realizimit dhe rekordit që Shqipëria do arrijë për ta bërë që të bëhet realitet, por nga pikëpamja ekonomike është direkte si me thënë, një përfitim i jashtëzakonshëm për zonën, për qytetin, për kryeqytetin.
Këtu nuk po punohet për një event, këtu punohet për një ngjarje, po punohet për të pasur një reputacion i cili nëse ne ia dalim me të gjithë elementët dhe ne besoj do ia dalim të jemi aty ku duhet në këtë organizim, do jetë një gjë që do jetë për 10 vjet. Do jetë një derë që hapet për një mundësi për ne, për ne që të jemi jo vetëm në kalendarin global tashmë të eventeve, por të jetë një hyrje e Shqipërisë në një nivel krejt tjetër” – theksoi ministri Gonxhja.
Kryeministri Rama vlerësoi koncertin si një investim me ndikim afatgjatë për ekonominë, turizmin dhe pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Përtej këtyre, është shumë e rëndësishme që të kihet parasysh që ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, turq që kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale dhe shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë, që ne të garantojmë, që ata mijëra e mijëra njerëz të cilët kanë prerë bileta nga Evropa, nga Amerika, nga Australia, 80 shtete dhe janë më shumë deri tani që flasim, më shumë sesa ata që blenë biletat dhe erdhën për finalen e Conference League, ky event nëse do të mbetej pa realizuar, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqyteti, sepse ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por sjellin dhe një impakt ekonomik hap pas hapi.
Ajo finalja e Conference League, na solli ne gjithë atë bum turistësh nga Holanda dhe nga Italia. Ja, këto janë eventet se bota nuk janë budallenj që organizojnë evente të tilla, që natyrisht kërkojnë një shpenzim në fillim, por janë investime, investime. Investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet, nuk kthehet prapa, të hidhen përpjetë ata që s’duan”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Rama: Tirana kthehet në kryeqytetin botëror të spektaklit muzikor









