Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpallur se Tirana do të marrë një tjetër stadium të madh, duke përmendur transformimin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kuadër të buxhetit 2025.
Ai theksoi se investimet do të sjellin mundësi zhvillimi për zonën dhe se do të jenë një shtysë për ekonominë, ashtu siç ndodhi me stadiumin “Air Albania” dhe Parkun Olimpik. Veliaj gjithashtu shpalli projektet për përmirësimin e kompleksit sportiv “Dajti”.
“Duam të bëjmë të njëjtën gjë që u bë me stadiumin “Air Albania” të bëhet edhe me stadiumin “Selman Stërmasi”, që t’i japim Njësisë 5 një super mundësi për zhvillim, për ta kthyer në një pol ekonomik. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’. Një nga vendimet që morëm është që të bëjmë një histori suksesi si te Parku Olimpik dhe duam që këtë vit ta shfrytëzojmë maksimalisht për të bërë projektin dhe për të filluar ndërtimin aty.
Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe te kompleksi ‘Dajti’, me një super investim me fushën e futbollit, por edhe pjesa tjetër multisportive, multidisiplinore, të ketë gjtihashtu një investim nga Bashkia e Tiranës. Sporti, që na dha kaq shumë histori suksesi dhe krenarie këtë vit, të vazhdojë të jetë një prioritet për ne”, tha Veliaj.