Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, gjatë një aktiviteti në Çorovodë, u shpreh se në këto kushte të vështira për vendin, të jesh opozitar është një akt patriotizmi.
Ajo theksoi nevojën për angazhim të fuqishëm deri në zgjedhjet e majit 2025, duke bërë thirrje për të vizituar çdo lagje dhe ndërgjegjësuar qytetarët për rëndësinë e ndryshimit.
Fjala e plotë:
Respekt për të gjithë angazhimin, betejën dhe qëndrestarët që jeni sot. Jeni model frymëzimi për gjithë Shqipërinë. Lefterit i vodhën mandatin e kryetarit të bashkisë por nuk do t’i vjedhin mandatin e deputetit as të Skraparit, as të Shqipërisë. Qytetarët kanë kuptuar që ky regjim që u ka marrë frymën e u ka vrarë shpresën mijëra të rinjve që largohen me gomone nga keqqeverisja e këtij regjimi, që jetojnë në varfëri dhe skamje duke nisur që nga pensionistët që edhe indeksimin e bërë nga kjo qeveri, sa një panine në ditë. Edhe në buxhetin e 2025, zero rritje për pensionet. Pensionistët janë ata që kanë votuar që në 6 të mëngjesit PS. Dhe në 12 vite qeverisje nuk ka denjuar të rrisë pensionet e kësaj shtrese që ka kontribuuar për vendin, janë veteranë të luftës.
Kjo është rilindja, nuk është PS. Socialist është Ilir Meta, dhe socialistët e thjeshtë të këtij vendi, të cilët ky sekt jo vetëm që i largoi nga partia e tyre, por i detyroi të ulen me bandat dhe me krimin e organizuar. Janë të papërfaqësuar. Ndaj në betejën jonë për çlirimin e Shqipërisë nga ky narkoshtet. Ne do të çlirojmë edhe PS nga ky sekt që e drejton sot. Socialistët e vërtetë do të bashkohen me ne në këtë regjim dhe keqqeverisje.
Programi ynë me 5 prioritete e ka të zgjidhur për dyfishimin e pensioneve. Për tu dhënë jetë dinjitoze çdo pensionisti në Shqipëri. Boll janë tallur me ta. Këtu nuk duhet të reshtim së ndërgjegjësuari çdo qytetar, çdo socialist të thjeshtë që në këto 12 vite ka ndier presionin e patronazhistëve.
Nëse flasim për shkollat, sigurinë që nuk e kanë më, për arsimin e pabuxhetuar. Në programin tonë kemi dyfishim të buxhetit për arsimin, në mënyrë që t’u afrohemi standardeve të Europës dhe rajonit. Pse ne e quajmë investim në arsim dhe jo kosto. Një qytetar i mirëarsimuar dhe i angazhuar di të mbrojë të drejtat e tij dhe sidomos ato në demokraci dhe shtet ligjor. Kjo qeveri pati një axhendë të qartë për sundim, lënie në varfëri të qytetarëve dhe mosbuxhetim të arsimit.
Këtë e tregojnë edhe rezultatet e PISA dhe kurrikulat në dështim. Një nga arsyet pse largohen familjet është cilësia në arsim. Largohen edhe sepse çiftet e reja nuk arrijnë dot të krijojnë familje në Shqipëri. Sepse kostoja dhe çmimet kanë shkuar në stratosferë. Kur kjo qeveri erdhi në pushtet në 2013-n tha zero TVSH-ja për ushqimet bazë.
Partia e Lirisë në kohë krize kërkoi zero TVSH për ushqimet bazë dhe për shportën. E kemi 20% TVSH për shportën, rajoni e ka 8-10%. Kjo qeveri vetëm e majtë nuk është. Po të ishte e tillë, në buxhetin e 2025 lekët do t’i çonte për rritjen e buxhetit të arsimit, rritjen e buxhetit të shëndetësisë. E patë skandalin e Onkologjikut, çfarë ndodhi. Nuk kanë barna, nuk kanë shërbime qytetarët. Bëri sikur indeksoi pensionet, këtej hoqi barnat nga lista e rimbursueshme. Kurti, një kryeministër i përgjegjshëm, i rriti pensionet 20%. Ndërkohë që pensionistët shqiptarë kanë pensionin më të ulët në rajon. Çfarë mund të bësh me 100 mijë lekë kur çmimet janë dhjetëfishuar?
Partia e Lirisë ka një program të qartë të miratuar në konventën e 27 prillit. Ai program duhet të shkojë në çdo derë e të trokasim në çdo shtëpi për t’i sqaruar qytetarët që para ka. Kryeministri tha se edhe buxheti i 2024 ishte më i madhi. Po shkuan paratë? Shkuan për PPP, koncesione, rrugë të florinjta, për inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston dhe për klientët dhe oligarkët e tyre. Buxheti shkon për 5% të qytetarëve ndërkohë që janë në varfëri 95% e tyre.
Çfarë ndodh në këtë moment?
Ndodh izolimi politik i presidentit të PL, Ilir Meta. Me zero fakte, zero prova, zero akuzë mbahet në izolim presidenti i PL. Në një arrestim banditesk, në shkelje të Kushtetuës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Tashmë janë kallëzuar edhe në SPAK ata që urdhëruan këtë arrestim e do të shkojnë deri në Strasburg e do ta fitojmë këtë betejë se jemi në krahun e drejtë të historisë.
Pse izolohet në ekstrem Ilir Meta? Sepse ai dhe PL është rrezik elektoral për këtë regjim. Ndaj duhet izoluar Ilir Meta që mos të thotë të vërtetat shumë të mëdha që ka bërë përballë këtij regjimi. Shumë beteja në mbrojtje të kufijve të marrëveshjes së detit, të kufijve me Kosovën, e dini planin ogurzi të ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe qëndrimet shumë të mëdha që presidenti Meta ka mbajtur. Duhet izoluar Ilir Meta. Pikërisht për efekt elektoral, në vit elektoral ndodh ky izolim. Por kjo duhet të na kthehet në forcë, në solidaritet të madh me njëri-tjetrin. Kjo është një betejë e drejtë. Jo thjesht për Ilir Metën, por për çdo qytetar. Kur kjo i ndodh ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish kryetarit të kuvendit, imagjinoni çfarë heq çdo qytetar në këtë vend. Ndaj kjo betejë është për gjithë Shqipërinë, është për të ardhmen tonë. Ne kemi detyrimin, nuk kemi luksin, se janë zgjedhjet e radhës, të arrijmë një fitore mbarëkombëtare të opozitës në zgjedhjet e 11 majit.
Kam vetëm një kërkesë. Të mos ndalojmë, të mos ndalojmë në këta muaj, për të trokitur në çdo derë, rrugë e lagje. Vetëm duke bindur qytetarët që janë të ndërgjegjësuar, por nën presion. Është patriotike të jesh opozitar sot, të luftosh për të ardhmen e fëmijëve dhe vendit tënd. Sepse është kompromis shumë i thjeshtë të jesh me qeverinë. Por të jesh opozitar sot është atdhetarizmi më i madh që mund të ekzistojë.