Një operacion i gjerë nga policia greke ka çuar në arrestimin e 23 personave të dyshuar për një seri krimesh të rënda. Grupi kriminal është i përfshirë në veprimtari të tilla si tentativë vrasje, shkatërrim prone me eksploziv dhe zjarr, plagosje, si dhe trafik droge dhe armësh.
Operacioni ka nisur herët në mëngjes dhe ka përfshirë realizimin e dhjetra urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria greke. Sipas informacioneve të para, grupi kriminal drejtohej nga një individ që ndodhet tashmë në burg, ndërsa mes të arrestuarve janë dhe shtetas shqiptarë.
Një prej shqiptarëve të arrestuar është gjithashtu i burgosur dhe është përfshirë në një skandal ku kishte lidhje me efektivë të burgut të Janinës, duke kryer veprimtari të paligjshme brenda institucionit. Operacioni është ende në zhvillim e sipër, dhe pritet që detaje të tjera të bëhen publike në orët në vijim.