Një shqiptar, i identifikuar si Sajmir Oruci, është ekstraduar nga Anglia në Itali për të vuajtur një dënim prej 25 vitesh burg. Ai u arrestua më 3 dhjetor në Manchester, pas një kërkese për ekstradim nga autoritetet italiane.
Oruci është dënuar për një seri krimesh të rënda që përfshijnë përndjekje, rrëmbim, sulm seksual të rënduar dhe sulm seksual të bandës ndaj një gruaje, e cila ishte e mitur në momentin e ngjarjeve. Krimet ndodhën gjatë viteve 2015 dhe 2016, kur ai jetonte në Besana Brianza, ku fillimisht mori një dënim prej 12 vjet e 6 muajsh nga Gjykata e Monzës.
Dënimi i tij u rrit më pas për shkak të disa dënimeve të tjera për vjedhje të rëndë dhe rezistencë ndaj zyrtarëve publikë nga Gjykatat e Leccos dhe Milanos, duke e çuar totalin në 25 vjet burgim.
Hetimet në Itali janë kryer nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Monzës dhe Brianzës, ndërsa për të siguruar arrestimin e Orucit në Angli, ata kanë bashkëpunuar me Shërbimin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor dhe Interpol Manchester. Kjo sinergji hetimore konfirmoi identitetin e tij përmes krahasimit të fotografive dhe gjurmëve të gishtërinjve, duke çuar në lëshimin e një urdhër-arresti evropian që u ekzekutua më 3 dhjetor.