Tiranë-Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Drug party”.
Arrestohen 4 shtetas. Sekuestrohen 300 tableta të dyshuara narkotike ekstazi (MDMA).
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Drug party”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. N., 18 vjeç, D. V., 18 vjeç, K. P., 19 vjeç, dhe M. Ç., 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në rrugën “Pjetër Bogdani”, shtetasit e larpërmendur dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 300 tableta të dyshuara narkotike e llojit ekstazi (MDMA).
Gjithashtu gjatë kontrollit të dyqanit të shtetasit E. N., në rrugën “Pjetër Bogdani”, u gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale, disa pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoren për kultivimin të lëndës narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.