Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me mbështetësit e tij, ka cilësuar arrestimin e liderit të opozitës si një “fushatë terrori” ndaj popullit opozitar dhe një mohim të fjalës së lirë. Ai i bëri thirrje kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili po përballet me diktaturën e bandave dhe krimit në burg, dhe deputetit Ervin Salianji, i cili po qëndron si një “kollos” kundër narkodiktaturës, duke mbrojtur të vërtetën dhe kryer detyrën si deputet.
Berisha e cilësoi arrestimin e kreut të opozitës si të paligjshëm, duke e quajtur këtë një akt të orkestruar nga Edi Ramën dhe mafian ndërkombëtare të Sorosit për të minuar opozitën. Ai e lidh këtë arrestim me tentativën për të instaluar terror mbi popullin opozitar dhe për të frikësuar demokratët shqiptarë.
“Dua t’i dërgoj një përshëndetje të përzemërtë, kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta që përballet me diktaturën e bandave dhe krimit në qelitë e burgut, deputetit të pamposhtur Ervin Salianji që qëndron si kollos kundër narkodiktaturës, sepse mbrojti të vërtetat dhe bëri detyrën si deputet.
Një mirënjohje të pakufishme dhe të atyre që nuk kanë ardhur sot këtu, por kanë qenë me ju çdo natë në këto 333 ditë.
Në serinë e sulmeve ndaj opozitës me ‘non gratat’, vjedhje flamuri, mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve opozitarë në parlament, arrestimi i kreut të opozitës shënoi goditjen më të rëndë që na u bë, sepse me këtë akt, kreu i narkoshetit dhe mercenarët e tij, tentuan të shtinin terror, jo vetëm në votrat, por edhe në zemrat e demokratëve shqiptarë. Arrestimet e bujshme publike gjithmonë pasohen nga një valë frike për publikun”, tha Berisha.