-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Gëzim Tushi: Politikanët, zgjedhjet dhe sociologjia elektorale

Kryesoret

Tani në prag të fushatës për zgjedhjet e ardhshme politike, duken disa zhbalancime ontologjike, jo aq politike se sa me natyrë sociologjike, lidhur me nevojën imediate dhe obligative që politikanët e të gjithë ngjyrave, si aktorë elektoralë duhet të bëjnë vlerësimin e duhur të raporteve shumëdimensionale që ka në mënyrë të natyrshme, të integruar çdo fushatë politike elektorale moderne.

Personalisht mendoj se është detyrim politik ontologjik thelbësor, kërkesë obligative për të ndryshuar traditën e vjetër në këto zgjedhje të reja, duke mundësuar hapësirën e nevojshme që të bëhen debate publike dhe analiza inkrementaliste të situatës që kalon vendi. Por jo me “llafazanëri”, “duele” politike formale të panevojshme, empirike, si llafollogji politike pa substancë, por me përgjegjësi sociale, në përputhje me shqetësimet, skepticizmin dhe pritmëritë e elektoratit. Padyshim, duke përmirësuar seriozisht kapërcimin e handikapëve të vjetër dhe duke prurë në kohë, në përputhje me dialektikën dhe koherencën sociale të shoqërisë, modalitetet dhe teknikalitetet që duhet për të plotësuar standardet demokratike elektorale. Kjo është me rëndësi të pamohueshme. Por, kam frikë se superimi i anëve teknike, rrotullimi i zgjatur i debateve rreth çështjeve të Komisionit të Zgjedhjeve, listave, rajonalizimit, kontroversave të Kodit Zgjedhor, do të ndikojë në zbehjen e përgjegjësisë, detyrimit ende të panjohur dhe të vlerësuar sa duhet, që kanë politikanët për të bërë vlerësime të aspekteve me rëndësi utilitare për zgjedhësit: politike e sociologjike.

Mbase është niveli i demokracisë në Shqipëri, i cili bën që tradicionalisht në periudhat parazgjedhore, vëmendja të përqendrohet në aspektet empirike e tekniko-logjistike, se sa në zgjerimin e kontureve paraprake dhe përfshirjen e qytetarëve individualisht, si grupe interesi apo shoqëroi civile, për t’i bërë ata që përmes diskursit elektoral deliberativ, të arsyeshëm, të përfshihen më aktivisht, duke qenë me mendim të pavarur, sovran, autonom në vendimmarrjen përfundimtare të tyre në votim.

Mbase kjo “tipologji paraelektorale” difektuoze, nuk është patologji e rastësishme dhe pa shkak. Ajo ka arsyet e veta, është adekuate, përshtatet me nivelin dhe pretenciozitetin e elektoratit, nga njëra anë dhe aftësitë e politikës profesioniste dhe kapacitetet e integruara politikisht dhe kulturalisht të politikanëve aktualë. Është paradoksale që në këtë faze, partitë politike kanë vetëm një hall, një synim gjeneralist: “karikimin e baterive të militantizmit respektiv”, depërtimin me sa më shumë slogane “ndarëse” dhe “atraktive” politike e dikotomike. Nëse do jetë kështu edhe kjo fushatë, atëherë në vlerësimin tim dhe sipas parimeve të sociologjisë elektorale, do kemi një “betejë” elektorale të sipërfaqshme, monotone, që do vërtitet midis synimeve pragmatiste, me teza të “fryra” e premtime utopike, pa i trajtuar problemet kruciale politike dhe turbulencat sociale me thellësinë e nevojshme paradigmatike. Është një realitet i padyshimtë. Politika shqiptare ose nuk i njeh, ose nuk dëshiron të përdorë me efikasitet parimet sociopolitike të “lojës së vetme në qytet”, si kusht për të bërë diagnostikime të integruara të situatës, përmes normave të njohura e të pranuara të sociologjisë elektorale. Këto nuk janë aspekte formale, teknike, manipulative apo estetike të zgjedhjeve, të cilat të para si qëllim në vetvete, të zhveshura nga përmbajtja sociale dhe substrati politik, kanë vetëm një qëllim: tërheqjen militanteske të qytetarit si “objekt elektoral”.

Nuk ka vështrim dhe qëndrim më cinik, nëse politika dhe politikanët vazhdojnë t’i shikojnë qytetarët thjesht si “lëndë elektorale”. Të gjitha këto objeksione janë detyra e përgjegjësi specifike të politikës dhe lidershipeve të saj, në mënyrë që gjatë fushatës të jenë më konkretë e mbushamendës përballë qytetarëve, për ta analizuar situatat ekzistuese, nivelin e pritmërive, duke vlerësuar në terrenin paraelektoral dilemat njerëzore ekzistuese, pasiguritë për të ardhmen, frikërat nga stanjacioni social, abuzimet dhe mashtrimet elektorale, konfuzioni dhe paqartësitë e ndarjes së kampeve elektorale konkurruese etj.. Të gjitha këto janë probleme, sfida, detyra e përgjegjësi që nuk kërkojnë vetëm vullnetin për drejtësi politike, vënien në lëvizje të “fabrikës njerëzore të militantëve”.

Nuk do ishte keq, madje është e domosdoshme tërheqja e mendimeve, gjykimeve sidomos të ekspertëve të sociologjisë elektorale, e cila në asnjë rast nuk është më shumë e nevojshme, e domosdoshme sa në momentet elektorale parazgjedhore e zgjedhore. Por, a e angazhon politika këtë disiplinë komplementare dhe sociologët elektoralë si profesionistë që kanë kapacitetin, pushtetin e dijes, teknikës dhe mekanizmave elektoralë që ndikojnë në strukturimin e opinionit publik politik dhe elektoral? Punë që e bëjnë shumë më mirë se politika e ditës dhe politikanët empirikë. Ky nuk është pretendim ekzibicionist, por kërkesë e domosdoshme nëse zgjedhjet që po afrojnë, të jenë ndryshe. Përtej arkaizmit, qëndrimeve të ngurta politike monokolore, modeleve empirike të komunikimit elektoral. Fushata dhe zgjedhjet janë një tjetër rast politik, shans demokratik për të sjellë parametra të ndryshuar konceptimit të politikës si brendi dhe kulturës elektorale formale.

Sepse demokracia jonë, përmes fushatës dhe procesit të votimit, duhet të sigurojë aprovimin e politikave nga qytetarët nëpërmjet angazhimit, pjesëmarrjes aktive të tyre në jetën politike. Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme politike është rasti më ekzistues që mund të gjendet apo të imagjinosh, për ta bërë realitet këtë tezë universale të demokracisë. Në këto kushte, ajo që besoj se kërkohet është ndryshimi i mentalitetit politik të konfliktualiteteve të kota, sherreve pa substancë, sulmeve të personalizuara, inateve individuale, “gjuhës së drunjtë” të komunikimit të ashpër. Fushata duhet të jetë një rast për zhvilluar sociologjikisht para qytetarëve një “dialog të qetë”, me polemika të arsyeshme, veprime racionale, logjikë politike dhe pranim të diskursit deliberativ midis palëve kundërshtare. Kjo bazuar në parimin universal, që në demokracinë pluraliste, duhet të ketë debate konstruktive midis politikanëve. Me kushtin që duke qenë kundërshtarë politikë, të kombinohen debatet e forta konstruktive me maturinë e nevojshme politike. Kundërshtarët në fushatë, janë padyshim të “ndarë” në ide, alternativa e zgjidhje, por kjo nuk do të thotë se ata janë armiq personalë.

Kjo do të thotë që të dëgjohen, të respektohen argumentet e kundërshtarëve respektivë. Në ka një gjë që është shqetësuese, e zhvilluar si “tumor social” në fushatat e kaluara elektorale, është pikërisht zhvillimi i tyre përgjithësisht i bazuar në logjikën negative, qëndrime mohuese, pozita nihiliste e dekonstruktive. Koha kërkon që politika në këtë fushatë të sjellë mesazhe, modele e paradigma të reja elektorale. Sepse ajo bëhet anormale, enorme, e pakuptueshme, pa ndikim elektoral, kur ndërtohet mbi obsesione fikse, ide të vjetra të kalcifikuara apo e mbështetur në “mentalitete banale elektorale”. Me të drejtë, ish-Presidenti Barack Obama mendon se, “Partishmëria e ngurtë e bën politikën dogmatike” “Guximi për të shpresuar” f 57. Politika shqiptare, me gjithë përpjekjet për modernizim të fushatave elektorale, në synimin herë për t’i adoptuar ato me modelet europiane apo të “amerikanizimit” të tyre, nuk e kanë kapërcyer modelin skematik e sipërfaqësor të mbivlerësimit të dukjes militanteske, duke neglizhuar thelbin përmbajtësor të tyre. Politika shqiptare akoma ka një konceptim të ngushtë, linear e tradicional në organizimin e fushatës, duke qenë se përgjithësisht politika është frymëzuar nga logjika pragmatiste, paradigmat reduksioniste, sipas të cilave “rëndësi ka fitorja e pushtetit”.

Kjo paradigmë makiaveliste, ka zbehur anën tjetër të vlerësimit të vlerave socio-politike të rezultatit elektoral. Vlerësimi i sociologjisë elektorale është me rëndësi, që partitë politike dhe konkurrentët elektoralë të vlerësojmë pakënaqësitë e qytetarëve individualisht, por edhe si shoqëri, sepse duket se asnjëra nga këto entitete nuk është e kënaqur me kualitetet, nivelin intelektual, përgjegjësitë publike të klasës politike. Në këto kushte, fushata që po vjen, do jetë tregues i pjekurisë elektorale, aftësive publike të shoqërisë për të zgjidhur kontradiktën, midis politikanëve që kemi dhe atyre që duhet të zgjidhen dhe për të cilët ka nevojë shoqëria, zhvillimi i akseleruar i vendit, integrimi europian i Shqipërisë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit