Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Presidenti Bajram Begaj priti në Presidencë Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare, ku theksoi rëndësinë e diasporës për Shqipërinë dhe të drejtën e saj për t’u mbrojtur nga shteti shqiptar, kudo ku ata jetojnë. Ai vlerësoi kontributin e shqiptarëve jashtë atdheut, duke i cilësuar si energji pozitive dhe shembuj të integrimit të suksesshëm në shtetet ku jetojnë.
Në fjalimin e tij, Begaj nënvizoi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke përmendur iniciativat për krijimin e platformave televizive kombëtare për fëmijët e lindur në diasporë.
“Vota e Diasporës është shumë e rëndësishme dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve më 11 maj kishte të bënte me faktin e realizmit të kësaj vote. Mendoj se vota e Diasporës është shumë domethënëse për Shqipërinë”, – shprehu edhe një herë bindjen e tij Presidenti Begaj.