-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Dhjetori i demokracisë dhe një shenjë normaliteti

Kryesoret

Studentët serbë po protestojnë me indeks studenti e jo me pasaportë, qytetarët gjeorgjianë po përpiqen ta ruajnë rrugën evropiane e populli jugkorean parandaloi kthimin në diktaturë. Në këtë botë, të kesh zgjedhje normale nuk është keq. Aspak.

1.

Takoj herë pas here studentët e atëhershëm të Tiranës që në dhjetor të vitit 1990 u ngritën për të kërkuar demokraci. Pas 34 vjetësh, që të gjithë mbajnë mend pothuajse dy gjëra të përbashkëta: që ishin pjesë e një lëvizjeje të paorganizuar, organike, pothuajse spontane dhe se kjo ishte njëra prej gjërave më të bukura që u kishte ndodhur në jetë. Pas 34 vjetësh do të ketë edhe më shumë kujtime – ngase kujtimet zhvillohen, nuk rrinë aty ku ishin – dhe e tërë kjo kohë mund t’i ketë vënë pjesëmarrësit në besime të ndryshme ideologjike, pozita të tjera socio-ekonomike, madje shumë prej tyre në pika në ndryshme gjeografike. Por, që të gjithë i bën bashkë kalimi në subjekt të historisë, jo më të objektit të historisë që kishin qenë deri më atëherë.

Kam takuar në fillime të vitit 1991 njerëz të pushtetit, të cilët nuk kishin kuptuar se ajo lëvizje që ishte ngritur për demokraci ishte organike; nuk ishte produkt i “spiunazhit”, konspiracioneve të armiqve të jashtëm dhe interpretime të tilla të ngjashme. Përderisa përpiqeshin të gjenin kokën e asaj lëvizjeje nuk kuptonin se lëvizja ka filluar pa një kokë individuale, ishte një kokë kolektive që thoshte nuk bën më kështu. Pastaj do të vinin udhëheqjet e kësaj lëvizjeje që do të jepnin interpretimin e tyre.
Një dhjetor, analog po ndodh në Serbi – në kohë, kushte dhe gjeografi tjetër – ndërsa janë ngritur më këmbë studentët e nxënësit, e atyre po u bashkohen bujqit dhe sektorë të tjerë të shoqërisë. Rrethanat janë krejtësisht të tjera: demonstruesit e dhjetorit në Shqipëri ishin të kequshqyer e veshur e mbathur me skamje dhe jetonin në një shtet që nuk mund ta ushqente veten e nuk linte që qytetarët ekonomia, kultura e saj të ushqeheshin tjetërkund. Këta në Serbi jetojnë në kushte shumë më të avancuara, në një ekonomi më të avancuar se ajo e Shqipërisë së atëhershme dhe kësaj të tanishme. Jetojnë në një shtet që – së paku formalisht – përpiqet të jetë pjesë e Evropës. Por, megjithatë, që të gjitha fakultetet në Serbi dhe shumica dërrmuese e shkollave të mesme në Beograd po protestojnë. Për më tepër, nuk po protestojnë me pasaportë – duke ikur jashtë vendit e duke gjetur jetë më të mirë, po protestojnë me indeksin e studentit në dorë. Po protestojnë kundër pushtetit, sepse nuk ekziston më lidhje besueshmërie e legjitimiteti mes tyre dhe pushtetit. Hallka e fundit e lidhjes së legjitimitetit që u këput ishte aksidenti në stacionin hekurudhor të Novi-Sadit para disa javësh, nga i cili vdiqën 15 persona.

Këtu, në këtë pikë e shoh lidhjen mes studentëve të dhjetorit në Shqipëri dhe këtyre në Serbi. Në Beograd, sot po ngjizet një lëvizje që po artikulohet me thjeshtësinë e konstatimit kolektiv, se kështu nuk bën më.

2.

Nuk e di si do të zhvillohet tutje lëvizja në Serbi, për faktin e thjeshtë se nuk ekzistojnë lëvizjet lineare historike drejt demokracisë. Në dhjetorin e vitit 1990 dhe pas zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri u besua se Shqipëria tashmë ishte demokraci. Prej asaj kohe kanë kaluar mbi tridhjetë vjet dhe sipas kategorizimit të “Freedom House”, Shqipëria ende quhet regjim hibrid, një ku bashkëjeton demokracia formale (me zgjedhje, institucione të pavarura, etj.) së bashku me format jodemokratike të kapjes së shtetit, sundimit gjithnjë e më të personalizuar të udhëheqësit dhe përfshirjen e ndikimit të drejtpërdrejtë të krimit të organizuar në qeverisje vendore apo qendrore.

Në Serbi, pas rrëzimit të Milosheviqit dhe fitores së forcave demokratike po ashtu u proklamua hyrja e Serbisë në rendin e demokracive, por ky shtet ka pasur një ecje konsistente drejt regjimit hibrid ku ekziston bashkëjetesa mes strukturave formale të demokracisë dhe sundimit autoritar.

Demokracia jo domosdo ecën përpara. Përkundrazi, siç përcakton “Freedom House”, në shekullin XXI jetojmë në vitin e shtatëmbëdhjetë të erozionit të demokracisë. Në botë ka më pak shtete demokratike sot se ç’kishte kur u çlirua Kosova.

3.

Përderisa i shkruaj këta rreshta, njerëz gjithandej botës ballafaqohen me sfida të demokracisë, lirisë. Sivjet, gjysma e rruzullit tokësor mbajti zgjedhje. Në këtë mes ishte SHBA-ja, në të cilën u zgjidh president D. Trump. Siç i thashë një miku republikan në Uashington DC javën e kaluar, pas këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë më e njëjtë as lëvizja konservatore e as ajo liberale (progresiste) në Amerikë. Qeverisja Trump do të përcaktojë në formë vendimtare platformën e konservatorëve amerikanë, duke thyer konvencionet e deritanishme. Njëri prej konvencioneve, besimi i shekullit XX se Amerika ka për detyrë ta rregullojë tërë botën, mund të kthehet përmbys që në fillim me insistimin që lufta në Ukrainë të ndalet sa më shpejt me një armëpushim dhe që tagrin e mbajtjes së paqes mes Ukrainës dhe territoreve të pushtuara nga Rusia ta paguajnë evropianët me para dhe trupa.
Këtë do ta vëzhgojnë me kujdes të posaçëm qytetarët e Gjeorgjisë që janë në javën e tretë të protestave në rrugë kundër asaj që përjetojnë të jetë regresion i demokracisë, prapakthim i Gjeorgjisë nga rruga e largët evropiane për në rrugën e afërt drejt Rusisë.

Dhe, këtë do ta vëzhgojnë me kujdes të gjithë popujt e tjerë. Disa, si jugkoreanët, u ngritën në këmbë për ta mbrojtur demokracinë prej presidentit të vendit që deshi të shpallë (dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme). Brenda këtij muaji, qytetarët e Koresë së Jugut u ngritën në këmbë për të penguar me trupat e tyre rikthimin e vendit në diktaturë ushtarake e pastaj Parlamenti votoi për rrëzimin e presidentit nga posti.

Në kushte më dramatike, Siria, pas një ofensive dymbëdhjetëditore kundër regjimit të Asadit, e çliroi vendin. Aty është një rrëfim i madh gjeopolitik dhe një histori e tmerrshme diktature, por në fund ajo që i hyn në punë këtij rrëfimi është sfida e madhe dhe imediate e vendosjes së demokracisë, duke penguar hakmarrjen, posaçërisht ndaj pakicave dhe duke vendosur rendin e rregullin elementar. E të gjitha këto përderisa vendi ende nuk funksionon si një territor i bashkuar sovran e ku në afërsi zhvillohen luftërat për përcaktimin e Lindjes së re të Mesme dhe kur po kalon një tranzicion prej diktaturës në diçka ende të papërjetuar e që i përngjet rendit demokratik.

4.

Në Kosovë do të mbahen në shkurt zgjedhjet e para parlamentare pas përmbushjes së një mandati katërvjeçar.

E thashë këtë konstatim në një studio televizive dhe kjo menjëherë u hodh poshtë si e parëndësishme nga bashkëbiseduesit. “Është normale”, tha njëri, duke u përpjekur ta zhvleftësojë argumentin tim.
Është normalitet i ri, siç ishte normalitet i ri që zgjedhjet e kaluara të ishin të ndershme, të mos fikeshin dritat në shkollat kur numëroheshin votat, të mos dilnin më shumë vota se votues, të mos kishte kërcënues e shantazhues në hyrje të vendvotimeve… Normaliteti është gjendja, të cilën e aspiron gjatë dhe në momentin kur ndodh, si në Kosovë, duket si ta kesh pasur për një kohë të gjatë, pothuajse përgjithmonë.

Në këtë dhjetor demokracie, sfidash, përpjekjesh dhe kundërpërpjekjesh – prej Amerikës e në Gjeorgji, prej Holandës në Serbi, nuk është edhe gjithaq keq të konstatosh se do të kesh zgjedhje normale. Dhe se “është normale” t’i kesh./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit