Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Alexander Kasanof, u takua me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar mbi forcimin e partneritetit SHBA-Shqipëri dhe progresin e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Evropian. Ambasada e SHBA zbardhi detaje nga ky takim, ku u theksua rëndësia e transparencës në reformën në drejtësi dhe vazhdimi i përpjekjeve kundër korrupsionit.
“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Alexander Kasanof dhe Kryeministri Edi Rama u takuan sot për të diskutuar mbi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri dhe mbështetjen e Shqipërisë për çështje kyçe shumëpalëshe, duke rikonfirmuar angazhimin e tyre për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Ata shqyrtuan përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, rëndësinë e transparencës në reformën në drejtësi dhe forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit”,shkruan ambasada.
Në përfundim të takimit, u diskutua gjithashtu mbi angazhimin e përbashkët për qëllime kyçe shumëpalëshe dhe përpjekjet për forcimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Kasanof theksoi mbështetje për SPAK-un, duke e cilësuar si institucionin më të besueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
“Arrestimet, procedimet penale dhe dënimet tuaja të jashtëzakonshme, sikurse i keni parë këtu nga zoti Dumani, kundër atyre që dikur ishin të paprekshëm, flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se prova do të ndiqet brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku, pavarësisht se drejt kujt çojnë hetimet. Asnjë nuk është mbi ligjin”, tha Kasanof.