Argita Malltezi deklaroi sot se masa e arrestit ndaj Jamarbër Malltezit për dosjen Partizani ishte i paligjshëm sepse ai nuk ishte subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet. Tha se dosja do të ndiqet në Strasburg.
“Arresti ndaj Jamarbër Malltezit ishte i paligjshëm në mënyrë të veçantë, sepse Jamarbër Malltezi, nuk ishte subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet.
Akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë dhe nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, zyrtar i lartë, apo i zgjedhur vendor.
Për rrjedhojë procedimi penal i tij dhe arresti, përbëjnë ndjekje pa ligj që është një shkelje flagrante kushtetuese dhe konventore.
4 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, nuk u shqetësuan nga ky fakt. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që çështjen e Jamarbër Malltezit ta bashkojmë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për ta përshpejtuar këtë proces.
Në çdo rast ajo do të jetë një çështje që do i përcillet Strasburgut’, tha ndër të tjera gjatë konferencës, Argita Malltezi.