Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe specialisti i Ballkanit, Edward Joseph u shpreh se Kosova duhet të mbrojë sovranitetin e vendit, duke ulur tensionet në veri. Joseph foli për një plan pesë pikësh që do ta ofronte nëse do të ishte kryeministër i ri pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë Donald Trump. Duhet të përqendrohemi tek ajo që mund ta bëjë Kosova. Dhe ajo që mund të bëjë Kosova është ta mbrojë sovranitetin e vendit duke ulur tensionet në vend, duke ndaluar këtë posturë konfrontuese në veri.
Ajo që do të bëja unë, nëse do të isha kryeministri i ri pas zgjedhjeve, ditën e parë do të ofroja një plan pesë pikësh për një qasje konstruktive dhe pozitive për zhvillimin e veriut. Dhe ky plan do të kishte një komponent sigurie, një komponentë arsimi, një komponent shëndetësie, të kishte të gjitha këto komponentë. Do të ftoja të gjithë serbët e Kosovës që lanë policinë, të ri-aplikojnë”, ka thënë Joseph.