Maestro Zhani Ciko ka sugjeruar se Parashqevi Simaku mund të rikthehet jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Gjatë një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Ciko theksoi se, pasi të shplodhet, Simaku mund të eksplorojë një karrierë të re në aktrim dhe madje të realizojë një film për historinë e saj.
“Ajo mund të jetë edhe një aktore. Mund të bëjë një film për historinë e saj dhe të këndojë këngët e saj të njohura, ose këngë të reja”, shprehu Ciko.
Në lidhje me komentet dhe thashethemet që kanë qarkulluar për Parashqevi Simakun, Ciko u shpreh se disa individë kanë shpikur teori që lidhin këngëtaren me Sigurimin e Shtetit dhe sistemin e kaluar. Ai i cilësoi këto akuza si të pabaza dhe tha se nuk është e drejtë të ekzagjerohet lidhja e Parashqevisë me regjimin e asaj kohe.
“Më lëndon kur lidhin Parashqevinë me Sigurimin e Shtetit apo me shtetin e asaj kohe. Nuk është kështu, dhe duhet të shmangim të hiperbolizojmë situata që nuk kanë qenë siç përshkruhen,” theksoi ai.