Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas njoftimit se shërbimi Starlink ka nisur të funksionojë në territorin e Kosovës.
Kurti e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale të vendit.
Ai ka theksuar se, pas autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink do të ofrojë mundësi për qasje në internet në çdo cep të Kosovës, duke mundësuar lidhje satelitore të shpejtë dhe të besueshme.
“Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.