Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër ish-pjesëtarit të forcave serbe, V.N., për krime lufte në Suharekë gjatë periudhës 1998-1999. Sipas aktakuzës, ai është akuzuar për “Krim të luftës kundër popullsisë civile”, për shkak të vrasjes së dy viktimave, M.A. dhe SH.A., si dhe plagosjen e një tjetër, SH.S. V.N. dyshohet se ka kryer këto krime në bashkëkryerje me ushtarë dhe policë të tjerë serbë.
Aktakuza është ngritur në mungesë të të pandehurit, i cili është i paarritshmë për organet e drejtësisë, ndërsa Prokuroria ka propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë, pasi janë përmbushur kushtet ligjore. Çështja tashmë është në kompetencë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.